Zaev kundërshton propozimin e opozitës për gjuhën shqipe

schedule13:10 - 12 Mars, 2018

schedule 13:10 - 12 Mars, 2018

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pret që këtë javë të mbyllet çështja për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, shefi i qeverisë së Shkupit tha se debati për këtë çështje është i hapur tashmë, prej nëntë muajsh dhe duhet të mbyllet sa më shpejt.

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Të gjithë thanë gjithçka që paten për të thënë, ndërsa pati edhe kohë të mjaftueshme për dialog. Ligji duhet të miratohet konform Kushtetutës dhe ligjeve. Me këtë do të mbyllet aspekti i fundit ligjor nga Marrëveshja e Ohrit. Ta lejojmë të realizohet. Le të ketë implementim dhe do të shohim se nuk është diçka e dhimbshme, e vështirë apo tragjike, por është diçka që do të mundësojë të kuptohemi më lehtë me njëri-tjetrin”.

Zaev kishe dhe një kundërpërgjigje për kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski, i cili tha se opozita do të mbështesë planet reformuese të LSDM-së nëse ligji për gjuhët tërhiqet nga procedura në kuvend. Kryeministri i Maqedonisë kundërshtoi propozimin e liderit të VMRO-DPMNE-së duke nënvizuar se bëhet fjalë për deklarata të njëjta të bëra më parë edhe nga ish lideri i kësaj partie Nikolla Gruevski. Në konferencë, Zaev foli edhe për negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Ai nuk komentoi zërat për ndryshimet kushtetuese ndërsa u shpreh se duhet gjetur një zgjidhje e cila do të ruajë dinjitetin dhe identitetin e dy palëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!