Zaev kërkon falje për gabimet, opozita kërkon aleancë me shqiptarët

schedule12:27 - 31 Tetor, 2019

schedule 12:27 - 31 Tetor, 2019

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev kërkoi falje të mërkurën, duke thënë se nuk ka dashur të ofendojë njeri, por ka dashur të thotë se do të ketë luftë për shtetin. Ndërkohë, kryetari I opozitës Hristijan Mickovski, ka theksuar se dera është e hapur për partitë shqiptare dhe janë të gatshëm për të biseduar edhe për koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare dhe partitë e etniteteve të tjera në vend.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev kërkoi falje të mërkurën ndërkohë që fliste në një tribunë në Prilep, për dorëzimin e pushtetit tek opozita.

“Nëse dikë e kam lënduar i kërkoj falje. Doja të isha i menjëhershëm. Doja të dërgoja një mesazh se nuk do të ishte e lehtë të dorëzohej pushteti, dhe pas 11 vitesh shkatërrim, përsëri të kthehen dhe të shkatërrojnë shtetin.  Na falni, kemi marrë vendime të guximshme, por nuk është e lehtë edhe për ne. Do të luftojmë deri në fund. Detyra jonë është të sigurojmë të ardhmen. Unë nuk kam dashur të ofendoj, dhe nëse dikush është i ofenduar, kërkoj falje, por kam dashur të them se do të ketë një luftë për shtetin”.

Zaev ka thënë se lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski nuk duhet të gënjehet nëse mendon se do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. Por Mickovski nga ana tjetër, u bëri ofertë për bashkëpunim partive shqiptare.

“Dera jonë është e hapur për partitë shqiptare dhe jemi të gatshëm për të biseduar edhe për koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare dhe partitë e etniteteve të tjera në vend.”

Kreu i VMRO-DPMNE-së tha se nuk ka asnjë preferencë konkrete ose përjashtim nga partitë shqiptare dhe theksoi se nëse nuk arrihet marrëveshje para zgjedhjeve, atëherë do të jetë i gatshëm të ulet me të gjitha partitë shqiptare pas zgjedhjeve nëse i fitojnë ato.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka paralajmëruar se do të shpërbëjë Dhomën ligjvënëse më 11 shkurt duke hapur dilemën nëse vendi do të ketë Parlament funksional që të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO. Xhaferi tha se nuk ekziston mundësia që të thirret Kuvendi nëse ka nevojë të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO dhe për këtë, do të duhet të pritet parlamenti i ri.

Por kryeministri Zaev dhe kreu i opozitës maqedonase Mickovski kanë thënë se edhe nëse Kuvendi shpërbëhet, ai përsëri duhet të mblidhet për ratifikimin. Protokolli për anëtarësim në NATO duhet të ratifikohet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut pasi ratifikimi të kalojë në Parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës.

Deri tani, Protokollin e kanë ratifikuar 26 shtete, ndërsa mbetet edhe Franca, Holanda dhe Spanja. Në Spanjë pritet ratifikimi të kalojë në dhjetor kur dhe do të konstituohet Parlamenti spanjoll./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!