Në fjalën e tij në Parlamentin Europian, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u shpreh se vendi i tij ka pasur shumë mbështetje për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Ai i cilësoi vizitat intensive të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë si një ogur i mirë për suksesin e referendumit të 30 shtatorit për çështjen e emrit.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev falenderoi komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen që po i jep vendit të tij. Në fjalën e tij në Parlamentin Europian ai premtoi se Shkupi është i vendosur për të ecur përpara dhe drejt Europës.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Kemi punuar shumë, kemi ende ëndrrën për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë rrugë dhe vizitat intensive të figurave të rëndësishme të politikës ndërkombëtare i konsideroj si një ogur i mirë për suksesin e referendumit të 30 shtatorit për çështjen e emrit.”
Më tej ai e konsideroi një marrëveshje historike atë me Greqinë.
“Falenderoj kryeministrin grek Aleksis Tsipras për arritjen e një marrëveshjeje historike mes dy vendeve tona. Maqedonia ka kaluar shumë kriza politike dhe e dimë se jemi një vend i vogël. Por maqedonasit kanë bërë një zgjedhje, ata të Europës. Dëshirojmë të jemi një shembull i mirë për sa i përket vendosmërisë për integrimin europian”.
Kreu i ekzekutivit maqedonas u shpreh se marrëveshja e Prespës nuk mund të arrihej pa ndihmën e miqve europianë të Maqedonisë duke e ditur se për kryeministrin grek Tsipras nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Të dy ne u detyruam të bëjmë lëshime, dhe ka qenë shumë e vështirë, por bëmë atë që dy liderë të përgjegjshëm duhet të bëjnë. Kjo duke parë nga e ardhmja për hir të zhvillimit të vendit, të dy vendeve tona. Mmarrëveshja e Prespës është një kompromis që mund të merret si shembull dhe nga vendet e tjera në rajon. Por tashmë i takon grekëve dhe maqedonasve të vendosin nëse janë dakord të bëjnë hapin e rradhës drejt të ardhmes.”
Duke folur për referendumin e 30 shtatorit kryeministri i Maqedonisë Zaev e konsideroi si një referendum të dytë për pavarësinë e vendit dhe nëse maqedonasit e mbështesin do të ishte një ndihmë shumë e madhe dhe për vendet fqinje. Europa nuk mund të jetë e suksesshme pa përfshirjen e Ballkanit, por Ballkani nuk mund të zhvillohet pa qenë i përfshirë në Europë, përfundoi ai./abcnews.al