Zaev: Data për në BE, mesazh motivues për ne

schedule15:20 - 27 Qershor, 2018

schedule 15:20 - 27 Qershor, 2018

Kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev, thotë se marrja e datës për hapjen e negociatave për në BE dhe ftesa për në NATO, janë mesazhe motivuese për qeverinë e tij. Gjithashtu nënvizon se do të kontribuojnë në zbatimin e plotë të marrëveshjes me Greqinë.

“Hapja e negociatave me BE-në vitin që vjen dhe marrja e ftesës për në NATO do të jenë kontribut vendimtar për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes historike me Greqinë dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë”.

Kështu u shpreh kryeministri i Shkupit Zoran Zaev në një fjalim të mbajtur në Vjenë.

“Maqedonia bëri lëvizje të madhe përpara për vetëm një vit, nga kulmi i mossuksesit drejt aspiratave tona më të mëdha, BE dhe NATO. Kur e nënshkruam marrëveshjen me Greqinë për zgjidhje të kontestit dhe partneritetit strategjik zhvendosëm male dhe nuk duhet të dyshojmë, kjo është arritur me dëshirën tonë të ndershme për një të tashme dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë, rajonit, Evropës dhe botës”, shtoi më tej shefi i qeverisë.

Zaev theksoi se “të pamundurat janë të mundshme kur besojmë fuqishëm në vlera”.

“Qeveria e re demokratike, tha kryeministri maqedonas, pas regjimit 10-vjeçar, hyri në aksion reformues për ripërtëritje dhe zhvillim të vlerave demokratike, qeverisjen e të drejtës dhe drejtësinë, sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e tyre ekonomik, në ripërtëritje të marrëdhënieve me miqtë e tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe në ringjalljen e marrëdhënieve me të gjithë miqtë e Maqedonisë nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Ne treguam lidership që t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura me fqinjët e tanë. Falë të njëjtave përpjekje të sinqerta të qeverive të Bullgarisë dhe Greqisë dhe pjekurisë së vendeve nga të gjithë shtetet në Evropën Juglindore, arritëm të dërgojmë mesazh të fuqishëm se Ballkani Perëndimor ose Evropa Juglindore, është Evropë”, porositi Zaev.

Ai informoi se marrëveshja është ratifikuar dhe se do të organizohet referendum në vjeshtë. Për këtë Zaev u shpreh i bindur se qytetarët e Maqedonisë do të mbështesin akordin me Greqinë./abcnews.al