Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka reaguar e indinjuar ndaj këshillës së Ramës për të mos lajthitur para kërkesës për të rritur rrogat e gjyqtarëve. Gjithsesi Holta harron që në Kushtetuese e zgjodhi parlamenti i kontrolluar nga socialistë. Ndaj ja vendosi Ramës, kufirin. Jo te thana, por te kritika.
“Por kufiri mbetet deri te kritika dhe jo te presionet. Janë deklarata të zakonshme që ne i kemi parë nga të gjitha palët e përfshira në proces, përfshi dhe median. Sepse ndonjëherë jeni ju të medias që i jepni zë më shumë seç duhet mendimeve, opinioneve që jepen për vendimet tona.”
Por përtej mërzisë së zonjës së Kushtetueses me Edi Ramën dhe ABC News, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk e sheh më si problem moszbatimin e vendimeve të saj nga Kuvendi.
“ Nuk besoj se jemi tek ky element i moszbatimit. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese tregon në fakt stadin e demokracisë, sigurisht kemi ende punë për të bërë.
Gjithsesi ajo e kishte edhe nje mesazh për Edi Ramën, tani që mendon që edhe ajo mund të kërcënojë. Me fjala ama.
“Vendimet tona janë të zbatueshme. Ka vendime të cilat politika merr koston e vetë nëse nuk i zbaton.”
Ndërkohë vetë Zaçaj nuk zbaton një vendim që tashmë është marrë për të. Ajo duhet të largohet. Por e pushtuar nga shpirti i sakrificës, ajo mendon se po qëndron, jo se ka dëshirë, por sepse ka hallin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.
“E rëndësishme është që Gjykata funksionon. Në thelb është e rëndësishme që publiku të jetë i mirëinformuar, të marri informacionin e duhur, dhe nga ana jonë ne të sigurojmë publikun që në fakt jemi të pavarur dhe të paanshëm dhe bëjmë punën tonë, pavarësisht se kush janë interesat apo se si mendojnë palët e përfshira në proces, dhe jo vetëm.”
E vetmja gjë që Zacaj nuk foli, është nëse do të mbështesë apo jo një kërkesë, që në fakt rrit direkt rrogën e saj. Ajo nuk foli nëse në këtë rast është në konflikt interesi, apo se po ndërhyn në punët e qeverisë, e cila përcakton shkallën e pagesave në vend, si administratore e shtetit.
Në një detaj tjetër të vogël, por jo të parëndësishëm, Gjykata Kushtetuese reagoi vetëm ndaj kryeministrit Rama i cili e konsideron rritjen e pagave të gjyqtarëve si lajthitje, dhe jo ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha që po ashtu e quajti absurde, apo akuzoi gjyqtarët e rinj qe si të vjetrit, merrnin ryshfet. Ndoshta shpreson se opozita do ta mbrojë, atë dhe Sonila Bejtjen, bashkëshorten e drejtorit të syri televizion, që të vazhdojnë të mbajnë, në shkelje të vendimeve të vetë Kushtetueses, postet e tyre tashmë prej tre muajsh me mandat të skaduar.