Yuri Kim: Gjykata Kushtetuese të funksionojë brenda vitit 2020

schedule21:59 - 9 Shtator, 2020

schedule 21:59 - 9 Shtator, 2020

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihet deri në fund të këtij viti, për të nisur funksionimin nga 1 Janari i vitit 2021.

“Ne jemi dakord. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese duhet të ngrihet deri në fund të vitit”, shkruan Kim teksa ka shpërndarë një deklaratë të bërë nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi në seancën plenare të 7 shtatorit.

Ruçi deklaroi se brenda këtij sesion parlamentar Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale, ndërsa me 1 Janar gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna.

“Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna. Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!

KLGj,më 27 shkurt 2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, të cilët u  dekretuan”, tha Ruçi.

Në mes të Korrikut, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi filtroi kandidatët që kishin paraqitur aplikimin e tyre prej gushtit të kaluar. Nga verifikimet e KED rezultoi se 6 nga kandidatët nuk përmbushnin kushtet ligjore, ndërsa 3 të tjerë ishin tërhequr.

Mes kandidatëve që u ndalua nga KED të marrë pjesën në garën për në Kushtetuese ishte Besnik Muçi, i cili ishte i zgjedhuri i parë i Presidentit të Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por që u shkarkua nga vetting-u.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë, përfshirë këtu edhe Vitore Tushën të cilës i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!