Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar menjëherë pas pendesës së bërë ditën e sotme nga Xhelal Mziu, pas një thirrje të bërë nga vetë ai ditë e djeshme se kushdo i dyshuar për blerje votash do e priste i njëjti fat siç ndodhi me Pjerin Xhuvanin i cili u vra në Elbasan.
Yuri Kim shprehet se grupet e armatosura që mbajnë anën e ndonjë partie i përkasin të kaluarës të shëmtuar që duhet ta refuzojmë.
“Mirë të shohësh ndjesë të qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar Elbasanit këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë anën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë.”
Good to see clear apology out of Dibra. The violence inflicted on Elbasan this week cannot be justified, must not be repeated. The days of armed groups wearing the patch of any political party & “patrolling” the streets belong in the past – ugly past that all of us must reject.?
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) April 23, 2021
Kujtojmë se Xhelal Mziu shprehu pendesën e tij dhe keqardhje për komentin të cilin e justifikon se ka ndodhur për shkak të emocioneve të forta.
“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshëm dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam kundër dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, shprehet Mziu.
Pas incidentit të ndodhur ku u dyshua për dy të rinj që blinin vota , gjatë një takimi elektoral, Mziu iu bëri dje thirrje qytetarëve që të njoftojnë çdo rast të tentativës së blerjes së votës, ndërsa paralajmëron fundin për ata që tentojnë të korruptojnë.
“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu deklaroi para qytetarëve Mziu. Deklarata e Xhelal Mziut erdhi dy ditë pas shkëmbimit të zjarrit në Elbasan, ku militantët e Partisë Socialiste u konfliktuan me anëtarët e Strukturës së Mbrojtjen e Votës të PD-së dhe nga ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. E.L/abcnews.al/