Ambasadorja amerikane ka përshëndetur emërimin e tre gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë nga Presidenti Ilir Meta. Yuri Kim e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm që duhet të vazhdohet edhe më tej.
“Ne e mirëpresim emërimin nga Presidenti Ilir Meta të 3 anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë, një hap i rëndësishëm dhe pozitiv që duhet të vazhdohet deri në fund. Tani, duhet të mbështesim gjyqtarët në mënyrë që ata të mund të shërbejnë me drejtësi për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, shkruan ambasadorja.
Presidenti Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Ervin Pupe, Sokol Sadushaj dhe Ilir Panda si anëtar të Gjykatës së Lartë. Tashmë Gjykata e Lartë bëhet me katër anëtarë bashkë me Ardian Dvoranin.
Në këto kushte Gjykata mund të seleksionojë të gjitha dosjet në pritje, në dhomë këshillimi, dhe të kthejë pas ato që nuk u pranohet rekursi.
Ndërsa ata të cilët dosja iu kualifikohet, duhet të presin plotësimin e plotë të Gjykatës së Lartë për të marrë vendim në themel. /abcnews.al