Ylli Rakipi në gjyq me Edi Ramën, gazetari: Kryeministri të vijë të përballet, ka intimiduar gjyqtarët

schedule13:20 - 31 Janar, 2020

schedule 13:20 - 31 Janar, 2020

Gazetari Ylli Rakipi ka dalë në një prononcim për mediat, jashtë ambienteve të gjykatës ku po zhvillohet gjyqi i tij me kryeministrin Edi Rama, i cili e ka paditur për cenim të imazhit. Nga ana tjetër, Rakipi ka dorëzuar një kundërpadi ndaj kryeministrit.

Gazetari u shpreh se kryeministri Rama ka intimiduar trupin gjykues, duke u shprehur nga foltorja e Kuvendit, se do t’i fitojë të gjithë gjyqet.

“Vetë Rama ka deklaruar se do fitojë 60 gjyqe. Ai ka në dorë gjithçka. I bëj thirrje këtij kryeministri të vijë këtu dhe të përballet në seancë gjyqësore me njerëzit që ka hedhur në gjyq, jo të dërgojë avokatët. Njerëzit e  mi do iu shpërndajnë një video ku kryeministri thotë që do të fitojë 60 gjyqe, ky do ishte rasti më unikal në botë që kur është shpikur qeverisja.

Unë kam 2 procese me kryeministrin, akuzohem se kam fyer kryeministrin Rama. Vetë ky kryeministër është ai që nga mëngjesi në darkë u ka thënë gazetarëve, Kazan, Myftarë, Kadrinj e dhjetëra epitete të tjera”, tha Rakipi.

Ndërkohë avokati i gazetarit Ylli Rakipi, Dorian Matlija, tha se deklaratat e kryeministrit e vendosin gjykatën nën presion dhe se çështja do të shkojë deri në Gjykatën e Strazburgut.

Procesi gjyqësor është ende në fazën e tij përgatitore. Zoti Rakipi do të përballet me dy padi të cilat janë ngritur nga kryeministri. Deklarata e bërë në kuvendin e Shqipërisë nga ana e kryeministrit është komplet e pavend, është një gjë që edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut e ka thënë shumë herë që pushteti ekzekutiv, aq më tepër kreu i këtij pushteti që është kryeministri, nuk mund të bëj deklarata që të intimidojë gjyqësorin. Të thuash që do të fitojë të gjithë gjyqet është njëlloj si të thuash gjyqtarëve “guxoni po të doni ta nxirrni bllof këtë person”.

Jemi në kushtet e një presioni. Gjyqtarët janë nën presionin e vettingut. Detyra jonë është që të bëjmë të gjitha hapat mirë që nga fillimi. Ne do ta çojmë çështjen deri në fund, edhe deri në Strasburg”, tha avokati Matlija./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!