Ylli Pango: Këtu nuk ka besim fetar të mirëfilltë

schedule21:05 - 9 Nëntor, 2018

schedule 21:05 - 9 Nëntor, 2018

Në studion e “Provokacijas” ishte i ftuar Ylli Pango. Arsyeja e diskutimit mes tij dhe moderatorit të emisionit, Mustafa Nano, ishte libri i tij, “Psikologji shqiptare”.

Pedagogu tha se ka studiuar psikologjinë e shqiptarit jo vetëm në kohët moderne, por edhe në vazhdimësi, duke marrë citime të Konicës, apo Eqerem Bej Vlorës. Sipas tij ka tipare që përsëriten nga shumë vite më parë.

Ylli Pango: “Duke e parë në vazhdimësi, sepse duke cituar në shumë vende Konicën, Nolin, Eqerem Bej Vlorën shikoj tipare që përsëriten dhe ju e keni vënë re, përsëriten prej 100 vjetësh. Ne shpesh themi se njësoj paskemi ngelur! Në disa aspekte, gjithmonë”.

Mustafa Nano: “E ke fjalën te raporti me dhunën”?

Ylli Pango: “Agresiviteti po! Besimet! Unë kam pasur bindjen time dhe ju e keni lexuar kapitullin e parë. Besimet… unë kam pasur bindjen, por edhe ju e keni diskutuar, që këtu nuk ka besim fetar të mirëfilltë”.

Mustafa Nano: “Për fat të mirë apo për fat të keq”?

Ylli Pango: “Për mua për fat të keq sepse është një lloj boshti, që gjithsesi do të ndihmonte për t’u bërë më shumë komb edhe për të qenë më shumë solidë”.

Mustafa Nano: “Veçse ne jemi komb me natyrë shumë fetare dhe identitetet e forta fetare mund të krijonin fërkime”.

Ylli Pango: “Kam një intervistë që ka bërë një nga gazetaret tona me Mishel Holbekun, dhe aty ne mburremi shpesh, dhe ajo mburret dhe të tjerë janë mburrur shpesh me këtë harmoninë fetare. Unë kam pasur bindjen që të flasësh për harmoni fetare mirë bën që t’i vemë disa vitrina të tilla vetes që të kemi dhe ne disa vlera në arenën ndërkombëtare, por problemi është se që të kesh harmoni fetare, duhet të kesh besime fetare dhe pastaj mbi bazën e këtyre të bësh një analizë, sepse Holbeku këtë shaka i bën asaj aty, dhe thotë atëherë do të ishit kombi më i zhvilluar i Europës sepse ju e dini, lufta 30-vjeçare e shek. XVII konsiderohet gati-gati Lufta e Parë Botërore. Janë vrarë miliona njerëz dhe janë implikuar persona, gjermanë, francezë, spanjollë, vendet e ulëta dhe e gjitha kjo ka ndodhur me bazë fenë si fillim. Brenda krishtërimi, protestantë me katolikë. Pra përfytyro se çfarë ka bërë përplasja e besimeve fetare në një kohë që ne po të kishim pasur aq më shumë që jemi mesdhetarë dhe gjaknxehtë, i bie që të ishim përleshur për këto gjëra, por kurrë sepse nuk kemi besuar tamam, logjika”.

Pango nuk flet vetëm për besimet fetare, por edhe për disa besime të tjera, siç kanë të bëjnë ato me demokracinë.

“Duhet të kemi parasysh që sistemet, regjimet, por edhe jetën në përgjithësi politike, shoqërore e kështu me radhë, e bëjnë në fund të fundit elitat, janë ata që zgjedhin. Populli sidomos tek ne, një pjesë e mirë e njerëzve, dëgjojnë seç thuhet, shikojnë mediat dhe unë e kam thënë, njerëzit besojnë dy gjëra më shumë: një mediat dhe dy atë që u pëlqejnë të besojnë”, tha Pango.

“Tek ne vlerat janë rrafshuar. Hierarkia e vlerave ka një rënie të jashtëzakonshme. Ky është dhe një qëndrim i shqiptarit apo një vlerësim, apo besim që nuk qëndron më tek vlerat. Pra unë shikoj një njeri që ka sukses. Se si e ka atë sukses këtu. Nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ka sukses filani dhe do bëj si ai. Nuk shikoj që përderisa Mustafa Nano ka ardhur deri këtu ku ka ardhur sepse ka vite që punon, nuk e llogarit fare. A doli? Kjo është vlera. Në këtë sens ne e kemi rrafshuar hierarkinë e vlerave dhe e kemi çuar në atë nivel, sidomos në arsimin e lartë”, tha gjithashtu Pango rreth vlerave të shqiptarëve ditët e sotme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!