Nuk është edhe aq e re, por momenti i triumfit nuk vjen gjithmonë në adoleshencë. Jo gjithmonë tenisi ka të tillë si Boris Beker apo Stefi Graf, megjithatë Arina Sabalenka duhet marrë shumë seriozisht.
Vajza 25-vjeçare nga Bjellorusia mbrojti titullin në Australian Open, madje këtë e bëri tepër lehtë, duke mundur 2-0 me sete kinezen Çin Uen Çeng, me rezultatin e pastër 6-3 e 6-2.
E vërtetë, që Sabalenka ka fituar vetëm dy tituj Grand Sleme, pra që në arkiv ka vetëm dy sukseset në Melburn, por gjithsesi është pranë fitoreve të ardhshme.
Jo më kot, ajo arriti finalen në US Open në 2023, dhe po ashtu gjysmëfinalet në “Rolan Garos” të Parisit dhe në Uimbëlldon.
Vitin e kaluar, bjellorusja e pati shumë më të vështirë ndaj kazakes me origjinë ruse, Jelena Ribakina, duke fituar vetëm pas tre seteve.
Sabalenka e ka shprehur hapur synimin për të dominuar tenisin e femrave në vitet e ardhshme, ndonëse rivaliteti do të jetë I madh, me polaken Iga Shviontek, Ribakinën, amerikanen Gof apo tunizianen Ons Zhaber.
Për momentin, bjellorusja është e lumtur me triumfin në Arenën “Rod Lejvër” të Melburnit, me suksesin në Grand Slem dhe me përfitimin e mbi 2.1 milionë USD.