Ylli i Saimir Hoxhës vendoset në murin e Kujtesës, Rama: Numri më pak se gishtat e një dore, fëmijët s’do jenë vetëm

schedule09:13 - 30 Shtator, 2021

schedule 09:13 - 30 Shtator, 2021

Në murin e Kujtesës së Dëshmorëve të Atdheut në Ministrinë e Brendshme nga sot është shtuar edhe ylli i Saimir Hoxhës. Në mes të kohës me shi, familjarë dhe miq u mblodhën në një ceremoni të shkurtër për vendosjen e Yllit të 225-të, ndërsa kryeministri Edi Rama mbajti  një fjalë para të pranishmëve.

“Të nderuar familjarë të Saimirit, miq dhe kolegë të tij. Ky është një moment i rëndë për ju dhe në tërësi është një moment aspak i lehtë për bashkësinë tonë pasi humbja e jetës në krye të detyrës të punonjësit të policisë është një humbje tragjike që shkon përtej familjes, shkon përtej miqve dhe të afërmve dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe të një vendi. Sot ne kemi këtu për të kryer ceremoninë e vendosjes së Yllit të Saimirit në murin e Kujtesës së Policisë së Shtetit pranë dëshmorëve të trupave tona“, u shpreh ai.

Ai tha se është një kohë e gjatë që kur është vendosur Ylli i mëparshëm në këtë mur duke shtuar se numri i rasteve tragjike në këto kohë është më pak se gishtat e një dore. Megjithatë ai shtoi se statistika nuk ka asnjë rëndësi pasi të gjitha jetët vlejnë njësoj. Rama theksoi fëmijët e Dëshmorit të Atdheut nuk do jenë vetëm pasi do marrin 170% të pagës së babait derisa të jenë në moshën e pjekurisë. Ai shtoi se atyre nuk do ju mungojë asgjë përveç babait që nuk e zëvendëson dot askush.

“Është një kohë e gjatë që kur është vendosur Ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim që numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Statistika nuk ka asnjë rëndësi sepse një jetë e vetme vlen sa të gjitha jetët kur ajo humbet. Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që bie rrëmbyeshëm i thotë ndjenjat tona.

Ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e Dëshmorit të Atdheut nuk do jenë vetëm dhe ne do kujdesemi për ta siç kemi nisur që dje të përkujdesemi për familjen e tij. Derisa ata të jenë të gatshëm të dalin në jetë. 170% e pagës së babait për fëmijët  nuk thotë asnjë gjë në raport me humbjen. Është një lehtësim të mendosh se fëmijët do jenë të shoqëruar për dore jo vetëm nga nëna apo gjyshërit. Nuk do ju mungojë asgjë sit ë ishte babai i tij përveç mungesës së tij që nuk e zëvendëson dot askush”, tha kryeministri Edi Rama.

Saimir Hoxha u vra dy ditë më parë teksa ndodhej në krye të detyrës. Pas një operacioni për asgjësimin e lëndës narkotike në zonën e Kune Vain në Lezhë, ai bashkë me dy kolegët e tij ndaluan një kontroll një makinë që po i ndiqte nga pas.  Në automjet ndodheshin Aldi Rama bashkë me dy shokët e tij. 21-vjeçari pasi refuzoi kontrollin nxori pistoletën duke qëlluar në drejtim të Saimir Hoxhës.  Ai ndërroi jetë rrugës për në spital pasi një nga plumbat i preku zemrën. Autori qëlloi ndaj vetes pas 5 orësh ndjekje dhe vdiq një ditë më pas në spitalin e Traumës (Lexo këtu kronologjinë e ngjarjes) . m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!