Ylli i muzikës pop Denise Ho arrestohet nga policia e Hong Kongut

schedule03:35 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 03:35 - 30 Dhjetor, 2021

Ylli i muzikës pop dhe aktivistja e shquar e pro-demokracisë në Hong Kong Denise Ho u arrestua në shtëpinë e saj të mërkurën në mëngjes nga policia e sigurisë kombëtare. Ajo ishte një nga gjashtë personat që u arrestuan gjatë një operacioni të policisë kundër medias online Stand News. Policia më vonë deklaroi se kishte arrestuar një person të shtatë që kishte lidhje me ngjarjen.

Ata akuzohen për publikim të materialeve rebele dhe komplot raporton “CNN”. Ho është një ish-anëtare e bordit drejtues të medias Stand News. Ajo u bë e famshme në vitet 2000 nëpërmjet albumeve që publikoi dhe më vonë ndërtoi një karrierë të suksesshme në aktrim.

Aktorja është një figurë e njohur ndërkombëtare e lëvizjes pro-demokratike të Hong Hongut. Ho ka përfaqësuar lëvizjen në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Amerikan. Një asistent i saj deklaroi që policia kontrolloi mbi dy orë shtëpinë e artistes. Oficerët sekuestruan telefona, kompjutera dhe mjetet e identifikimit të zonjës Ho. Ditën e mërkurë rreth 200 oficerë policie bastisën zyrat e medias Stand News dhe sekuestruan materiale gazetareske sipas qeverisë së Hong Kongut dhe Shoqatës së Gazetarëve të Hong Kongut.

Kjo ngjarje dhe votimi i një ligji për sigurinë kombëtare në vitin 2020 kanë ngritur shqetësime në lidhje me pakësimin e lirive të shtypit. Qeveria e Hong Kongut ka mohuar kritikat mbi këtë ligj që kriminalizon aktet e shkëputjes, përmbysjes, terrorizmit dhe marrëveshjeve të fshehta me forcat e huaja. Autoritetet kanë deklaruar që ligji nuk mbyt liritë e shtypit dhe që ka ndihmuar në vendosjen e rendit në qytet pas protestave të vitit 2019.

Ho fillimisht u interesua për politikën në vitin 2012 pasi deklaroi që ishte homoseksuale dhe mori një rol të spikatur në Lëvizjen Ombrella që drejtohej nga studentët në vitin 2014. Artistja ka qenë një mbështetëse e fortë e protestave masive pro-demokratike dhe është nga një njerëzit e fundit që u largua nga kampet e protestuese nga policia. / abcnews.al