Sezoni i ri i Milanit do të fillojë në kualifikueset e Europa League. Të besuarit e Stefano Piolit e mbyllën kampionatin në vendin e gjashtë, çka do të thotë që duhet ta fillojnë aventurën europiane nga raundi i dytë kualifikues. Përpos kësaj kuqezinjtë nuk do të kenë në dispozicon as një nga yjet e ekipit.
Bëhet fjalë për Ante Rebic dhe sipas raportimit të “MilanNews”, sulmuesi do të mungojë në tre sfidat e parë në Europë. Me fjalë të tjera kroati nuk do të jetë i gatshëm për teknikun Pioli në raundet kualifikuese dhe do të rikthehet vetëm në fazën e grupeve, gjithmonë nëse Milan do t’i arrijë ato.
Arsyeja është sepse sulmuesi është i dënuar nga UEFA me tre ndeshje në kohën kur ai luante në radhët e Eintracht Frankfurt. Kujtojmë që Rebic u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Strasbourg, por dënimi u zgjat dhe me dy ndeshje të tjera për shkak se ai protestoi ndaj gjyqtarit të takimit. /abcnews.al