Sokol Cikalleshi është padyshim një ndër futbollistët më të mirë shqiptar. Në mesin e mijëra adhuruesve të tij nuk mungojnë as vogëlushët që janë të apasionuar pas futbollit. Në një nga ndeshjet e fundit, ra në sy një vogëlush brun me një kapele jeshile ndërsa mbante një pankartë në duar.
“Të duam shumë, mund të më jepni fanellën tuaj kur të përfundojë ndeshja?”, shkruhej në pankartë. Por a ka mundur që ta lumturojë këtë vogëlush idhulli i tij?
Në një intervistë që dha për emisionin e mëngjesit, futbollisti i Kombëtares tha se nuk e kishte parë vogëlushin gjatë ndeshjes.
Ai tregoi se kishte kërkuar ndihmën e stafit por nuk ka arritur ta gjejë. Gjatë intervistës ai bëri thirrje që çdokush që e njeh djalin e vogël të njoftojë në faqet zyrtare të televizionit Abc në mënyrë që të lumturojnë vogëlushin duke i dhuruar fanellën e tij.
“Gjatë ndeshjes nuk e kam parë se isha i fokusuar por më pas e pashë. I thashë disa punonjësve të klubit që ta gjenin. Por fatkeqësisht nuk e gjetëm dot dhe më vjen keq që djali nuk e mori fanellën. Por besoj se në ndeshjet e tjera do të kemi mundësi.”, tha ai. /abcnews.al