Izraeli ka inauguruar spitalin ushtarak që do t’u vijë në ndihmë ukrainasve në këto kohë të vështira të luftës. Ceremonia e hapjes së spitalit izraelit u zhvillua në qytetin Mostyska, në Ukrainën perëndimore, rreth 15 km nga kufiri polak.
Bëhet fjalë për një strukturë me 66 shtretër, ku do mund të trajtohen deri në 150 pacientë. Në të janë punësuar 65 mjekë dhe infermierë izraelitë, siç raportohet nga Qendra Mjekësore Sheba në Tel Hashomer.
Spitali ushtarak, i quajtur “Ylli që Shndrin”, do të ndihmojë refugjatët ukrainas që mbërrijnë në kufirin me Poloninë.
Sipas drejtorit, Joel Har-Even, shumica e stafit kanë origjinë ukrainase. Objekti, i cili kushton mbi 6 milionë dollarë, është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Jashtme dhe Qendrës Mjekësore Sheba, që do ta menaxhojë. /abcnews.al/