Përktheu Sonila Backa-abcnews.al
Dhe në momentet më të mira dhe triumfuese, Xi Jinping pranoi se retë e zeza kishin mbuluar Kinën. Në 5 vjetorin e Kongresit të Partisë Komuniste në tetor të 2022, presidenti kinez arriti të siguronte fitoren duke marrë mandatin e tretë.
Duke folur përpara 2,300 delegatëve të partisë në Pekin, “timonieri”, siç quhet tani nga mediat shtetërore përshkroi një dekadë lundrimi kryesisht të qetë nën sundimin e tij.
Varfëria ekstreme është eliminuar dhe politika e tij “zero-covid” ka shpëtuar mijëra jetë, tha ai. Ai gjithashtu paralajmëroi udhëheqësit e partive që “të jenë të gatshëm t’i rezistojnë erërave të forta, ujërave të rrëmbyeshëm dhe madje edhe stuhive të rrezikshme”.
Xi beson se fuqitë e huaja, të udhëhequra nga Amerika, duan të frenojnë Kinën. Dhe jo pa arsye.
Shumë vende perëndimore e shohin rritjen e Kinës alarmante. Administrata e Presidentit Joe Biden ka kërkuar të pengojë industrinë e teknologjisë kineze duke vendosur sanksione dhe kontrolle të rrepta të eksportit.
Xi dëshiron të riformësojë rendin botëror në një mënyrë që do të bënte të lumtur autokratët. Ai paraqet modelin autoritar të Kinës si një alternativë të besueshme ndaj Perëndimit.
Dhe ai ka më shumë burime në dispozicion se çdo despot tjetër në histori.
Megjithatë, Kina është gjithashtu më e dobët se sa mund të ishte ndryshe, falë zgjedhjeve të vetë Xi. Problemet në vend janë gjithashtu në rritje kështu që për timonierin 2023 do ta jetë një vit i vështirë.
Ndër sfidat më urgjente është Covid-19. Xi e ka futur Kinën në një qoshe me politikën e tij zero-covid, e cila mbështetet në bllokimet lokale dhe kufizimet drakoniane për të frenuar shpërthimet.
Ai ka të drejtë që ka shpëtuar jetët e njerëzve. Por tani ajo po mbyt ekonominë dhe po frustron qytetarët, të cilët jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të karantinës. Pjesa më e madhe e popullsisë nuk ka marrë doza të mjaftueshme të një vaksine për të reduktuar në masë të madhe rrezikun e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, raporton abcnews.al.
Kina ka preferuar bllokimet dhe as, për arsye politike, nuk do të importojë vaksina më efektive perëndimore MRNA. Sistemi shëndetësor është i dobët. Kjo e ka lënë Kinën në një situatë të vështirë dhe të papërgatitur për të bashkëjetuar me virusin.
Modelet sugjerojnë se të heqësh dorë nga politika zero-covid do të rriste numrin e të infektuarve duke mbushur spitalet dhe duke shkaktuar qindra viktima. Diçka e tillë mund të shqetësojë partinë, duke shtuar edhe faktin se ekonomia e saj ka shënuar rënie.
Rritja ishte më e ngadaltë se sa pritej në 2022 dhe do të jetë përsëri në 2023 nëse qeveria vazhdon në rrugën e saj aktuale. Të rinjtë, përfshirë të diplomuarit, po luftojnë për të gjetur punë. Tregu i pronave, i cili mbështet një pjesë të madhe të PBB-së, është në krizë.
Bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit, të cilat prishin zinxhirët e furnizimit dhe dobësojnë besimin, janë vetëm një pjesë e problemit. Xi ka miratuar një ekonomi më socialiste, të kontrolluar nga shteti. Ai beson se partia duhet të ketë më shumë të drejta në mënyrën se si drejtohen bizneset.
Ai ka ngadalësuar ritmin e inovacionit dhe ka zbehur dinamizmin e sektorit privat duke vendosur rregulla të ashpra ndaj firmave të teknologjisë dhe duke e shkëputur Kinën nga bota.
Demografia duket se është kundër Kinës. Në vitet 1980, udhëheqësit e saj zbatuan politikën e një fëmije. Atëherë besohej se popullsia po rritej shumë shpejt. Tani liderët po i frikësohen të kundërtës.
Në vitin 2023, popullsia e Kinës, aktualisht rreth 1.4 miliardë, ndoshta do të fillojë të tkurret dhe India do ta kalojë atë si vendi më i populluar në botë. Prej vitesh numri i të moshuarve në Kinë është në rritje, ndërkohë që fuqia punëtore vazhdon të shënojë rënie.
Kjo, gjithashtu, ka ulur rritjen ekonomike dhe ka lënë një barrë të madhe për të rinjtë. Në vitin 2015, Kina miratoi politikën e dy fëmijëve. Në 2021 lejoi tre. Por të rinjtë duket se nuk duan familje të mëdha.
Numri mesatar i lindjeve për grua është shumë më i ulët se sa ai që është i nevojshëm për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme, e lëre më në rritje. Disa ekspertë i cilësojnë këto probleme, si dhe barrën e rëndë të borxhit të Kinës, dhe argumentojnë se ajo ka arritur kulmin e fuqive të saj.
Xi, i cili do të rikonfirmohet si president në seancën vjetore të legjislaturës në mars 2023, nuk është i gatshëm të ndryshojë kursin, raporton abcnews.al.
Çfarë do të thotë kjo?
Një Kinë me rritje më të ngadaltë ekonomike do të ketë më pak burime për të sfiduar Perëndimin. Por një Kinë e dobët, nga frika e “mbytjes” ekonomike nga Amerika, mund të jetë më e rrezikshme.
Nëse ajo po parashikon një rënie dhe ende dëshiron të riformojë botën ose të pushtojë Tajvanin, disa vëzhgues kanë frikë se Kina do të veprojë së shpejti. Perëndimorët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos parashikojnë një rezultat – kolapsin e Partisë Komuniste, vetëm sepse do të ishte sipas dëshirës së tyre.
Edhe një ekonomi më e dobët kineze sërish do të jetë ndër më të mëdhatë në botë.
Shteti mund të mobilizojë burime të mëdha në fusha strategjike, të tilla si prodhimi i gjysmëpërçuesve ose armëve. Vende të tjera, përfshirë Amerikën, do të përballen me sfidat e tyre demografike gjatë viteve në vijim.
Rritja e vazhdueshme e Kinës nuk është e pashmangshme, por as rënia e saj.
/abcnews.al