Xi Jinping bën thirrje për unitet kundër ndërhyrjeve të jashtme

schedule17:17 - 4 Korrik, 2024

schedule 17:17 - 4 Korrik, 2024

Presidenti i Kinës Xi Jinping u bëri thirrje sot anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), të “konsolidojnë unitetin” kundër ndërhyrjeve në punët e brendshme nga forcat e huaja.

“Shoqëria njerëzore ka ardhur në një udhëkryq tjetër. Është thelbësore për botën që SCO të qëndrojë në anën e duhur të historisë dhe në anën e drejtësisë”, i tha Xi këshillit të krerëve të shteteve në samitin e SCO-së në Astana, kryeqyteti i Kazakistanit.

“Transformimi i paparë në një shekull po shpaloset me një ritëm të shpejtë. Përballë sfidave reale kundrejt forcave te jashtme që ndërhyjnë në punët e brendshme dhe krijojnë përçarje, uniteti duhet të konsolidohet”, tha Xi, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying.

Presidenti kinez bëri thirrje për ruajtjen e “vijës së fundit të sigurisë” mes “kërcënimeve reale nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë”. Xi theksoi se e drejta për zhvillim duhej të mbrohej.

“Familja e madhe e SCO tani përbëhet nga 26 vende nga tre kontinente. Dhe asaj i janë bashkuar gjithnjë e më shumë partnerë dhe kanë ndërtuar një bazë më solide për bashkëpunim”, shtoi ai.

Samiti dyditor filloi dje në Astana, ku SCO pranoi Bjellorusinë si shtetin e 10-të anëtar me të drejta të plotë.