Xhubleta shqiptare e mbrojtur nga UNESCO, etnografja tregon çfarë e bën të veçantë

schedule12:10 - 10 Maj, 2023

schedule 12:10 - 10 Maj, 2023

Xhubleta shqiptare, aseti i rëndësishëm kulturor me vlera historike, është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s disa muaj më parë. Etnografja Afërdita Onuzi ka zbuluar se çfarë e bën të veçantë këtë veshje, të cilën ajo e ka studiuar dhe ka sjellë edhe një botim të rrallë.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ajo ka shpjeguar se gratë që i kanë trashëguar nga të parët, kanë treguar një besnikëri të madhe.

“E para, vazhdimësia e saj dhe origjina prej më shumë se 4 mijë vitesh. Nuk kemi asnjë veshje tjetër që të ketë këtë moshë dhe të ketë pasur këtë vazhdimësi dhe këtë rezistencë ndaj interferimeve të kulturave të tjera. Edhe nqf të se kemi ndonjë gjë shumë të vogël me ndonjë motiv, ndonjë gjë shumë të vogël dhe përsëri ai motiv është i futur.

Tek motivet unë jam përpjekur të jem besnike e interpretimit që i bëjnë gratë të cilat e kanë realizuar dhe i besoj interpretimit të tyre sepse ato nuk cedojnë nga ai fondi vendas. Edhe kur i pyet: ‘Gjithnjë këtë lule, gjithnjë këto motive keni pëlqyer?’. ‘Po’, thonë, ‘Se kështu na i lanë të parët’. Pra, mendoni çfarë besnikërie, çfarë angazhimi për të ruajtur veshjen më identifikuese të shqiptarëve. Për këtë arsye, ajo ka prerjen e saj që është prerje unikale. Gjithë veshjet e tjera, realizohen me një pjesë të plotë. Mund t’i japësh formë këmbane apo kovë si i thonë, kjo realizohet vetëm me disa rripa që bashkohen në një mënyrë të përkryer nëpërmjet disa fijeve të gajtanave. Gjë që e vëren vetëm te xhupleta. Pra, ka origjinën, ka motivet, dekoracionin në përgjithësi, ka prerjen. Ka këtë ngjyrë, e cila i jep një pamje nga më madhështoret veshjeve popullore shqiptare”, rrëfeu Onuzi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!