“Xhisiela”, Taulant Balla dëshmon 120 minuta në prokurori

schedule18:45 - 4 Tetor, 2018

schedule 18:45 - 4 Tetor, 2018

Pasi përfundoi dëshminë e tij rreth 120 minuta në Prokurorinë e Tiranës, Taulant Balla, deklaroi se duhet të marrë fund politika e shpifjes dhe e denigrimit të kundërshtarit. Sipas kreut të grupit të PS, Lulzim Basha, Emiljano Nuhu, Basir Çollaku dhe të tjerë janë një grup i strukturuar dhe të gjitha babalet do të sqarohen.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka folur për mediat pas dëshmisë që ka dhënë në prokurorinë e Tiranë për çështjen ‘Xhisiela’. Deputeti u shpreh se kjo është një betejë për të vërtetën dhe se ai mban përgjegjësi për kallëzimet penale që ka depozituar.

“Unë e garantoj opinionin publik sikurse kam thënë që ditën e parë, është një betejë, të cilën unë do ta fitoj jo në interesin tim, por të shqiptarëve, të cilët nuk duan më këtë lloj politike që del një budalla hedh një gur në lum dhe 100 të mençur mezi e nxjerrin”, tha Balla.

Balla u pyet nga prokurorja e Tiranës, Elsa Miha, ku ka dorëzuar tabulatet telefonike, duke vërtetuar sipas tij se nuk ka qenë në Fushë-Krujë në datë 21 Korrik sikur pretendon ish-oficeri Emiljano Nuhu.

Deputeti i PS akuzoi si pjesë e grupit të “strukturuar kriminal”, kreun e opozitës, Lulzim Basha, teksa shtoi se, të gjitha “Babalet” do të sqarohen.

Unë besoj se tashmë kemi një pasqyrë të qartë edhe të një grupi, që unë nuk do të hezitoja ta quaja të strukturuar mes Lulzim Bashës, Emiliano Nuhut, Basir Çollakut dhe persona të tjerë të paidentifikuar, e cila është detyrë e Prokurorisë, të cilët kanë fabrikuar një inskenim të turpshëm për të cilin do të mbajnë përgjegjësi“, u shpreh Balla.

Më herët, Balla kishte kallëzuar në të njëjtën prokurori deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit të datës 3 Tetor sa i takon çështjes së Xhisiela Malokut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!