Xhisiela Maloku në “Opinion”: Nuk më ka kërcënuar asnjeri, gjithçka e bëra nga xhelozia

schedule23:01 - 1 Tetor, 2018

schedule 23:01 - 1 Tetor, 2018

Para gazetarit Blendi Fevziu, Xhisiela Maloku tha se e gjithë historia e dhunës dhe kërcënimeve është zmadhuar dhe ekzagjeruar në mënyrë ekstreme. Ajo tha se nuk është kërcënuar kurrë dhe se denoncimin për Rexhep Rrajan e ka bërë nga xhelozia.

Në një intervistë për “Opinion”, vajza e cila përgjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë në qendër të vëmendjes, për dhunë nga djali i deputetit Rrahman Rraja, mohon që dëshmia e publikuar në media të jetë e saja dhe thotë se ajo është sajuar nga ish-oficeri Emiljano Nuhu.

“Unë kam shoqëri prej më shumë se 10 vitesh dhe jemi edhe fqinj. Askush nuk më ka kërcënuar, siç është thënë në deklarata të rreme. Askush nuk më ka kërcënuar siç është thënë në deklarata pa firma”.

Maloku insistoi se deklarata e publikuar këtë të hënë në media, ku shprehimisht thuhej se Rexhep Rraja e kishte kërcënuar me fjalët “Nuk do të të vras, do të të plagos…dua të vuash e jo të vdesësh direkt”, nuk është e saja.

“Absolutisht, jo, ajo nuk është dëshmi e imja, atë ta marrë ta gjejë Emiljano se e kujt është. Në asnjë moment unë nuk kam thënë që ata janë fis kriminelësh. Ato që thuhen aty i ka thënë Emijano”.

E pyetur nga gazetari Fevziu se përse e tërhoqi denoncimin e bërë në polici, 25-vjeçarja tha se e bëri ngaqë arriti të rregullonte marrëdhëniet me ish-të dashurin për të cilin ishte xheloze.

Pra i bie që jeni tallur me policinë? e pyeti Fevziu. “Po”, u përgjigj Xhisiela, duke shtuar se nuk ka qenë kurrë e kërcënuar e madje se Rexhepi i kishte ofruar mbështetje.

Maloku insistoi në mënyrë të përsëritur që nuk është kërcënuar asnjëherë asnjeri dhe mohoi kategorikisht që e ka kërcënuar ndonjë person kohët e fundit.

Edhe kërcënimin gjatë përballjes në prokurori me Rexhep Rrajan, 25-vjeçarja tha se nuk është e vërtetë, se ai nuk e ka kërcënuar. “Nuk më ka kërcënuar, në asnjë moment. As nga ai as të afërmit e tij”

Ju po e tërhiqni prap dëshminë e dhënë?, e pyeti Fevziu.

“Patjetër”, tha Maloku./abcnews.al