Një 18 vjeçar është arrestuar në Vorë për armëmbajtje pa leje. I riu është konstatuar te “Ura e Gjolës”, duke lëvizur me biçikletë dhe gjatë kontrollit të ushtruar, policia i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krëhër me municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas lëvizte me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– B. M., 18 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas është konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, duke lëvizur me biçikletë dhe gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krëhër me municion luftarak.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për zbardhjen e qëllimit dhe motiveve pse ky shtetas qarkullonte me armë zjarri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/abcnews.al