Xhihadistët përleshje të armatosur, sulmojnë bazën ushtarake amerikane

schedule21:28 - 30 Shtator, 2019

schedule 21:28 - 30 Shtator, 2019

Xhihadistët në Somali kanë sulmuar të hënën një bazë ushtarake ku trupat amerikane stërvisin komandot vendas.

Banorët e zonës, të cituar nga mediat ndërkombëtare, kanë raportuar për shpërthime dhe të shtëna gjatë sulmit, i ndodhur në rajonin jugor Shabelle.

Grupi militant Al Shabab mori përsipër përgjegjësinë e atentatit, gjatë të cilit përdori edhe një makinë-bombë për të depërtuar brenda në bazë dhe më pas futi luftëtarët e tij.

Autoritetet ushtarake deklaruan ndërkohë se, xhihadistët u zmbrapsën nga trupat e pranishme në bazë, pa arritur të avanconin shumë.

Për fat të mirë nga sulmi nuk pati viktima në radhët e ushtrisë somaleze dhe trupave amerikane.

Përmes një deklarate, ambasadori amerikan vlerësoi vigjilencën dhe reagimin e shpejtë të ushtrisë vendase.

“Ky sulm tregon sërish se militantët e Al Shabab kundërshtojnë ecurinë drejt paqes dhe prosperitetit në Somali”, tha ambasadori./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!