“Xhevahiri ballkanik”/ ‘Financial Times’ artikull për traditat, kulturën dhe gastronominë e Shqipërisë

schedule15:01 - 30 Shtator, 2023

schedule 15:01 - 30 Shtator, 2023

Prestigjozja “Financial Times” ka publikuar një artikull dedikuar Shqipërisë, duke folur për traditat, kulturën dhe gastronominë e vendit tonë.

Shumë turistë po dynden gjithnjë e në shumë drejt destinacioneve të njohura për të shijuar ngjyrat e çdo stine në Shqipëri, ku peizazhet kombinohen në mënyrë të përkryer me arkitekturën e tyre shekullore, traditën qindra vjeçare dhe kulturën unike.

“Shqipëria u izolua nga bota gjatë periudhës 46-vjeçare komuniste. Por kohët kanë ndryshuar pasi Shqipëria është në vëmendjen e personaliteteve mbarë botërorë.

Aktori amerikan, Leonardo DiCaprio tani është një avokat për ruajtjen e natyrës së Shqipërisë dhe një investim thelbësor nga kompania amerikane “Patagonia” ka nisur për mbrojtjen e Vjosës, lumi i fundit i egër i Europës.

Vija bregdetare e Adriatikut të Shqipërisë u ‘pushtua’ nga turistët këtë verë, të cilët ishin në kërkim të destinacioneve të pazbuluara dhe çmimeve të përballueshme.

Por çfarë i tërhoqi kaq shumë turistët?

Fermerët e kthyer në pronarë bujtinash po ofrojnë një formë turizmi rural që ruan traditat dhe mikpritjen shpirtërore të Shqipërisë, të ngjashme me fermat e agroturizmit në Itali.

Midis tyre është edhe Albanik, një bujtinë e zhytur mes pyjeve dhe maleve të luginës së Deshnicës. Në veri të Vjosës dallohen “Bjeshkët e Namuna”, të cilat për nga vetë emri e bën të parezistueshëm për aventurierët.

Kullat e tyre shkëmbore dhe luginat e thella të lumenjve u siguronin mbrojtje banorëve të Malësisë që u organizuan sipas një kodi të lashtë, Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Udhëtimet mes tyre ofrojnë pamje malore dhe mrekullinë e lumit të Valbonës. Arinjtë, ujqërit dhe rrëqebulli enden nëpër pyje. Vera këtu është e ngrohtë dhe kryesisht shumica rrinë jashtë. Por në stinët më të freskëta, në pranverë dhe në shtator, familjet pinë çaj mali pranë një oxhaku. Mysafirët mund të lundrojnë me skaf dhe të peshkojnë, ose të notojnë në liqen.

“Njerëzit në qytete na quanin injorantë dhe thoshin se jetonim në shpella. Të rinjtë nuk mund të shihnin të ardhme këtu, kështu që u nisën për në Londër. Tani dua t’u tregoj atyre se ju mund të studioni në universitet, të udhëtoni nëpër botë dhe të ktheheni përsëri në rrënjët tuaja, “thotë një nga banorët.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, kumbon gjithandej në agroturizmin e drejtuar nga familjet në luginën e Valbonës. Të aksesueshme përgjatë shtegut të Majave të Ballkanit, një udhëtim epik i një alpinisti bazuar në shtigjet e vjetra të barinjve, këto bujtina mbeten kryesisht të palidhura me rrugë.

Artikulli i “Financial Times” ndalet edhe tek ushqimet bio, i cili shijohet nën dritën e qirinjve në sofra, ku serviret peshk i pjekur në zjarr, supë me hithra, bukë misri dhe djathë deleje me shumë kripë, të shoqëruara me turshi, kos, fruta dhe mjaltë, shije vërtete unike për t’u mos humbur.

“Financial Times” mbyll shkrimin për Shqipërinë me agroturizmin në Lezhë duke u ndalur tek Mrizi i Zanave. Ku një shtëpi ferme e rrënuar në majë të kodrës u shndërrua në një restorant dhe fermë me dhoma prej guri dhe xhami unike.

E padyshim ushqimet janë 100% bio të zonës të cilat serviren nga një staf i mrekullueshëm. Ambientet e brendshme të kujtojnë shtëpizat malore zvicerane, me qilima lëkure deleje dhe aromat e lisit dhe sherebelës, përfundon media prestigjioze britanike.

/abcnews.al