Xherdan Shaqiri kërkohet nga Liverpool

schedule16:10 - 7 Qershor, 2018

schedule 16:10 - 7 Qershor, 2018

Xherdan Shaqirit i ofrohet shansi i tretë i madh në karrierë. Shqiptari i Zvicrës kërkohet nga ekipi nënkampion i Europës, Liverpool.

Është padyshim një nga më të talentuarit.

Xherdan Shaqiri njihet për golat dhe veprimet e tij spektakolare, ndërsa një tjetër shans i madh i afrohet në karrierë.

Shqiptari i Zvicrës kërkohet nga Liverpool-i, me trajnerin Jurgen Klop që dëshiron të forcojë edhe më shumë skuadrën, për të synuar trofe sezonin e ardhshëm.

26-vjeçari nga Kosova luan aktualisht për Stoke City-n, skuadër që sapo ra nga Premier Liga, dhe besohet se është i vendosur të kthehet sërish në elitën e futbollit anglez.

Ai mund të merret për vetëm 15 milionë euro, thuajse falas për standardet e Anglisë dhe për talentin që zotëron.

Shaqiri e nisi karrierën në Zvicër me Bazelin, pastaj kaloi tek Bayern-i ku fitoi Bundesligën dhe Championsin, por nuk zuri dot vend, ashtu siç nuk ia doli tek Interi në Serinë A.

Klop, gjithsesi, nuk ka dyshim për kapacitetin e sulmuesit, dhe mediat britanike njoftojnë se Liverpool-i ka bërë progres në bisedimet me Shaqirin, por dhe me lojtarin e Monakos, Nabil Fekir.

Shqiptaro-zvicerani po bëhet gati me Zvicrën për një Kupë Bote të suksesshme në Rusi, dhe ka mundësi që e ardhmja e tij të vendoset përpara fillimit të turneut.

Liverpool-i arriti në finalen e Championsit pas një edicioni të shkëlqyer, ndonëse aty humbi me Realin, ndërsa zuri vendin e katërt në kampionat, duke u kualifikuar sërish për në Ligën e Kampionëve.

Klop synon që skuadra e tij të pretendojë Championsin dhe Premier Ligën sezonin e ardhshëm, ndaj po kërkon përforcime, duke mbajtur edhe lojtarët kryesorë si Salah, Firminho apo Mane.

Trajneri gjerman, përveç Shaqirit dhe Fekirit, kërkon edhe një portier të nivelit të lartë që mund të jetë Alison i Brazilit dhe Romës, ose Oblak i Atletikos së Madridit./abcnews.al