Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se organet përgjegjëse janë duke hartuar një raport lidhur me ngjarjen që ndodhi të premten, më 7 gusht, ku u raportua se xhandarmëria serbe hyri në territorin e Kosovës, përkatësisht në Komunën e Kamenicës.
Hoti shkruan se qytetarët e kësaj ane, nuk do të mbeten pa mbrojtjen e institucioneve të Kosovës.
“Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar.
Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar Hoti.
Ditën e djeshme në rrjetet sociale qarkulloi një video ku pretendohej se pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë, kishin hyrë në fshatin Karaçevë, të Kamenicës.
Policia e Kosovës njoftoi se është njoftuar edhe KFOR-i, lidhur me këtë rast. Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur se janë te shqetësuar rreth prezencës së xhandarmerisë serbe./abcnews.al