“Xhamia e Kukësit u kthye si sallë operacioni”, mjeku kujton luftën e Kosovës: Tragjike, pas 24 vitesh janë mbi 1 mijë të zhdukur, eshtra pa varre

schedule10:31 - 4 Tetor, 2024

schedule 10:31 - 4 Tetor, 2024

Një ndër episodet më të rëndësishme në jetën e tij, mjeku Agron Abrashi kujton luftën në Kosovë. Ai ka thënë se në atë periudhë misioni i tij humanitar ishte ADN-ja.

I emocionuar, Abrashi ka zbuluar në emisionin “Pas Mesnate”, momentin kur u kthye nga Zvicra dhe shkoi të shërbente në xhaminë e Kukësit, e cila u shndërrua si sallë operacioni në kohën e luftës.

“Ishte mjaft dramatike, xhamia e Kukësit ishte kthyer në spital, trajtoheshin luftëtarët e plagosur, vizitova ata, u futa brenda, aty ishte një ekip nga Norvegjia, që bënin operacione në Xhami dhe përreth ishin fëmijët bashkë me nënat e tyre. Ishte një gjendje tmerruese dhe shumë zhgënjyese kur shikoje ato vuajtje, ato pasiguri që ishin krijuar te masa. Nga këndvështrimi i Zvicrës, një ndër shtetet më të zhvilluara në botë, kur vjen dhe shikon atë atmosferën dramatike, të zgjon ndjenjën e humanitetit edhe më të madh. Dua dhe më shumë të kontribuojë”.

Mjeku u ndal dhe te çasti kur u njoh me bilancin e të humburve në familje. Sipas Abrashit, është tragjike se si pas 24 vitesh janë ende të zhdukur 1800 persona, si pasojë ka eshtra pa varre.

“Pas luftës më çuan dhe një lloj bilanci për humbjet e jetës, se për shumicën nuk dihej, se kush kishte humbur jetën, apo ishin zhdukur. Ne kemi ende 1800 të humbur, që sot e kësaj dite pas 24 vitesh lufte nuk e dimë fatin e tyre, janë varre pa eshtra dhe eshtra pa varre. Familjarët duan së paku të kenë eshtra që të kenë varre dhe të derdhin disa lot. Është shumë e dhimbshme”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!