Xhaka në dyshim për Anglinë, kapiteni “helvet” vuan nga problemet muskulare

schedule13:12 - 2 Korrik, 2024

schedule 13:12 - 2 Korrik, 2024

Nuk dëshiron të mungojë në asnjë mënyrë. Granit Xhaka është lideri i kësaj Zvicre dhe shpreson që problemet muskulore të mos e lenë jashtë çerekfinales së Evropianit ndaj Anglisë, teksa sipas raportimeve më të fundit të zviceranes “Blik”, mesfushori mbetet në dyshim për sfidën e kësaj të premteje, që padyshim është më e madhja e Kombëtares “Helvete” që nga viti 1954, ku do të kenë mundësin për të arritur gjysmëfinalen e parë në histori, qoftë në Evropianë, qoftë në Botërorë.

Zviceranët kanë mbërritur në 8 më të mirët në Kupat e Botës në 1934, 1938 dhe 1954, ndërsa në kampionatet e kontinentit rekordin e ka arritur pikërisht tani në Gjermani. Xhaka, ndërkaq, ka ditë që vuan nga problemet fizike dhe të enjten e kaluar nuk u stërvit, teksa për mediat ka pohuar se ndjeu shqetësime në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Italisë, por vazhdoi deri në fund.

“Ne kemi doktorë të mirë në ekip që më kanë ndihmuar deri tani. Shpresoj dhe besoj që gjithçka të shkojë siç duhet. Unë dua të luaj, dhe të ndihmoj ekipin për të fituar trofe. Nuk po them se do ta fitojmë Europianin, por do të bëjmë gjithçka që t’ia dalim. Mendoj se kemi ende mundësi. Ne jemi më të uritur se kurrë”,- u shpreh “ylli” shqiptaro-zviceran.

Granit Xhaka është jo vetëm kapiteni i Zvicrës, por edhe lojtari me më shumë ndeshje në historinë e “Helvetëve”, plot 129 të tilla, ndërsa objektivi i radhës është fitorja ndaj Anglisë dhe kualifikimi në gjysmëfinale të Euro 2024. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!