Tentativa në Gjykatën Kushtetuese e Sali Berishës për ta larguar gjyqtaren Marsida Xhaferllari nga gjykimi i çështjes së tij, ka dështuar.
Këtë të mërkurë trupa e gjyqtarëve Kushtetues, me shumicë votash ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Berishës, për ta përjashtuar gjyqtaren Xhaferllari, nga seanca e 19 nëntorit, kur kjo gjykatë do të shqyrtojë padinë e tij, për masën e “detyrimit me paraqitje”, që ai vendosi mos ta zbatojë.
Për Berishën gjyqtarja Xhaferllari ishte në konflikt interesi me çështjen e tij pasi ajo është bashkëjetuesja e Enkelejd Alibajt, si një demokrat që ka rrugën e ndarë dukshëm nga ish-kryeministri.
Por argumenti i Berishës nuk ka bindur trupën e gjyqtarëve, që i vlerësuan pretendimet e kreut të PD-së, si të pabazuara dhe të paprovuara.
Megjithatë Berisha do të duhet të pranojë vendimin edhe të Xhaferllarit, në momentin që gjyqtarja, së bashku me 7 kolegët e saj, do të shqyrtojnë dhe do të vendosin fatin e Berishës, jo shumë larg zgjedhjeve të pranverës.
Kërkesa e Berishës, nëse do të shihej e arsyeshme, do të conte në tkurrje të trupës së gjyqtarëve, pas vakancës ende të plotësuar, të lënë nga Elsa Toska.
Aktualisht kjo gjykatë ka në përbërje të saj 8 gjyqtarë dhe Berisha do të fitonte vetëm nëse 5 prej tyre gjykojnë njësoj si ai, që masa me detyrim paraqitjeje, e dhënë në tetor të vitit 2023, nga Gjykata e Posacmë është anti-kushtetuese.
Berisha ka provuar të gjitha shkallët, Apelin e Posaçëm dhe Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, shkallë në të cilat nuk fitoi lirinë.