Xhaferaj e “merr në pyetje” për rrugët e Durrësit, Ahmetaj: Mbyllet në fund të vitit

schedule10:32 - 28 Tetor, 2021

schedule 10:32 - 28 Tetor, 2021

Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë pas debatit për ndryshimin e rendit të ditës ka vijuar me interpelancën me zëvendeskryeministrin dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin eReformave kërkuar nga deputeti i PD-së, zgjedhur në Durrës, Ferdinand Xhaferraj. Deputeti demokrat i kërkoi shpjegime ministrit se përse në fund të korrikut, u anulua vendimi i qershorit të këtij viti për rikonstruksionin e dy rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi” në Durrës.

Kërkesa për interpelancë dhe objekti im ka qenë që të zgjidhet problemi dhe duke qenë se zëvendëskryeministri i ka “larë duart” kam dashur që të jetë edhe ministrja e Infrastrukturës. Me vendimin e 30 qershorit të 2021 ka vendosur të përdorë një fond për rindërtimin 4 mld lekë për rikonstruktimin e dy rrugëve në Durrës, që shërbejnë si kryesore, jo vetëm të asaj zone por të gjithë qytetit. Një muaj më pas Këshilli i Ministrave vendosi ta shfuqizonte fondin. Si do të zgjidhet ky problem për ata banorë?” pyeti ai.

Arben Ahmetaj e sqaroi se bëhet fjalë për harmonizimin e projektit duke theksuar se procedurat për njërën rrugë janë mbyllur dhe për tjetrën në fund të dhjetorit.  “Në lidhje me shfuqizimin e vendimit të 30 qershorit të vitit 2021 u sqaroj se shfuqizimi i vendimit vjen si rezultat i harmonizimit të vendimeve të qeverisë lidhur me fondin e qeverisë së Emirateve të Bashkuara. Arsyeja është për të futur të dyja rrugët brenda një plani të detyruar vendor më të gjerë, që rrugët të funksionojnë më mirë për qytetarët.

Për pak ditë do të lidhet kontrata e zbatimit për rrugën “Miqësia” dhe brenda pak ditësh për rrugën “Azem Hajdari – Gjelbërimi”. 1.8 miliardë lekë për të dyja rrugët. Janë brenda buxhetit, fondit të rindërtimit, janë të financuara, do të bëhen. Njëra ka përfunduar si procedurë, tjetra në fund të dhjetorit”tha ai.

Ferdinand Xhaferraj nuk e la me kaq duke replikuar me ministrin. “Ju falënderoj për etikën e përdorur, përgjigjen që dhatë por me tërmetin cfarë patët? E vetmja vlerë e kësaj interpelance është se po i krijon bindje shqiptarëve që t’ju lëmë të flisni, se vetë demaskoni teknologjinë 3D.

Kryeministri juaj thoshte se “brenda vitit 2020 të gjithë banorët e fshatit që e kanë humbur shtëpinë, ta gëzojnë shtëpinë e re brenda vitit të ri, ndërsa brenda qershorit 2021, ata që kanë humbur shtëpinë në qytete, të jenë në apartamente të reja”. Brenda qershorit thotë kryeministri, kemi mbaruar punë me tërmetin, por në fund të tetorit të 2021, qytetarët e Durrësit kanë nga dy muaj pa marrë bonusin dhe tani thoni se brenda vitit do të trajtoni një mijë të parët” tha ai./ Abcnews.al