Xhafaj, Rakipi e Boçi sfiduan liderët, Nazarko: Gabimet që zvogëluan shansin e PD për të fituar

schedule20:11 - 29 Prill, 2021

schedule 20:11 - 29 Prill, 2021

Fatmir Xhafaj dhe djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, Ornaldo Rakipi kanë thyer herësin në Tiranë. I renditur i 30 në listën e PS-së, Rakipi ka arritur të grumbullojë deri më tani 10197 vota.

Ndërsa një ndër kandidatët demokratë që ka thyer herësin është pikërisht Luçiano Boçi i cili me 10, 903 vota ,ai arrin të futet në Kuvend.

Analisti Mentor Nazarko në “Radari Informativ” foli për zgjedhjet e 25 prillit, fushatën dhe përzgjedhjen e kandidatëve, duke renditur edhe një sërë gabimesh që sipas tij zvogëluan shansin e PD-së për të fituar.

“Zoti Xhafaj është tregues i qartë i PS së vjetër dhe në këtë kuptim është një njeri me ndikim dhe ka arritur ta përhapë emrin e tij. Me siguri ka pasur edhe ndihmën e shefit të fushatës Veliajt. Edhe djali i ri, Rakipi ka tregues të qartë se i ati ka bërë fushatë. Pra, di se si të mbledhë vota”, tha Nazarko.

Nazarko si një pjesë e kritikëve mbështeti kërkesën për dorëheqjen e kreut të PD-së Lulzim Basha, ndërsa theksoi se ajo çfarë luhet me fatin e PD-së është me rëndësi, jo vetëm për fatin e kësaj force politike por edhe për Shqipërinë.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, tha se kandidatët e vjetër nuk janë përshtatur me mënyrën e re të lobimit.

“Në gjykimin tim premtimet që jepen në njëfarë mënyre janë blerje të vullnetit elektoral. Ne jemi një vend i vogël ku praktikisht njihemi. PS kishte një liste që ishte shumë më efektive sepse e optimizoi energjinë e të rinjve me figura të vjetra që dikur ishin krerë të shtabeve zgjedhore.

Për dikë që është deputet prej dy mandatesh është dikush që e njeh territorin, familjen e dinë për çfarë kanë nevojë. Në këtë optikë dikush siguron nevoja imediate, dikujt i është blerë vullneti për pagesën e qirasë. Shteti ka më shumë armë në dorë për t’i blerë vullnetet.

Nëse PD e LSI do të kishin dalë në një listë të përbashkët, nëse do të kishin marrë pjesë në reformën territoriale…pra një sërë gabimesh që kanë zvogëluar shansin për të fituar”, deklaroi Nazarko.

A duhet të japë dorëheqjen Lulzim Basha? “Unë mendoj se po. Dhe ai ka mundësinë që të rikandidojë. Ajo çfarë luhet me fatin e PD-së është me rëndësi jo vetëm për fatin e saj, por edhe për Shqipërinë.  

Lexo edhe: Basha u besoi, por qytetarët s’i pëlqyen drejtuesit politikë të PD-së

Përballë kësaj force politike që është në mandatin e tretë duhet të figurë e re. Në krye të PD-së duhet të ishte një figurë e re që të përfaqësonte edhe një brez të ri. Mesa duket PD nuk arriti në fshat, pra duket se është një pjesë që nuk e ndryshon lehtësisht votën.

Më krijohet bindja që përballë Ramës dikush që është i moshës së tij, e ka të vështirë. Diferenciali është votuesi i herës së parë sepse është rebel” tha ai.

Analisti, Mentor Nazarko gjithashtu në Radarin Informativ foli për vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel për çështjen e dialogut me Serbinë.

Nazarko u shpreh se Kurti kërkon të tregojë partneritet të barabartë.

Sot jemi këtu për shkak të insistimit të zotit Kurti dhe sot nuk mund të ankohet për presion nga europianët. Për një popull si i Kosovës që është mësuar të jetojë lirshëm është një goditje e rëndë.

Dialogu është i lidhur me liberalizimin e vizave, duke refuzuar ofertën amerikane, Haradinaj në fillim dhe Kurti më pas na risollën te ndërmjetësimi europian nga 2 shtete jo njohëse, ndërmjetësim i cili në fazën përmbyllëse është i kushtëzuar nga heqja vizave. Mos liberalizimi i vizave është një goditje e rëndë” tha ai.

/abcnews.al/