Xhaçka në Kabul: Rrisim me 60% praninë tonë në Afganistan

schedule17:16 - 22 Nëntor, 2017

schedule 17:16 - 22 Nëntor, 2017

Vitin e ardhshëm Shqipëria do të rrisë me 60% të trupave prezencën e saj në Afganistan. Rritja e numrit të efektivëve, mes të cilëve edhe një kontingjent i Forcave Speciale, u konfirmua gjatë vizitës 24 orëshe të Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka në Kabul, Afganistan.

Në kabul trupat shqiptare ndodhen që prej vitit 2002. Përgëzimet për kontributin e tyre ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka i merr nga vetë Komandanti i Misionit të NATO-s Resolute Support, gjenerali John Nicholson.

“Përgëzime zonja Ministre për kontributin e vendit tuaj. Në stafin tim kam shumë oficerë e më vjen mirë ta pranoj që oficerët shqiptarë janë më cilësorët”

Për ministren Xhacka  angazhimet në operacione ndër vite do të thonë më shumë përgjegjësi dhe detyrime.

“Vendimi për zgjerimin e trupave në Kabul dhe Herat është përgjigjja jonë në emër të partneritetit strategjik me SHBA, ashtu sikundër kemi mbështetur strategjinë e qeverisë amerikane në Azinë Juglindore”.

Gjatë orëve të qëndrimit në Kabul, Ministrja e Mbrojtjes është takuar me efektivët shqiptarë në komandën qëndrore të NATO-s dhe në Aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai”, ku kryen misionin kontingjenti i 6-të.

“Na keni zbardhur faqen dhe çdo ditë e më shumë ndjehemi krenarë për ju këtu në Afganistan sikundër për çdo efektiv të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit”

Ministrja e Mbrojtjes u prit edhe nga përfaqësuesi më i lartë civil i NATO-s në Afganistan, ambasadori Cornelius Zimmermann dhe komandantët e HKIA (Hamid Karzai International Airport) dhe TAAC Capital (Train Advise Assist Command).

Aktualisht, FARSH janë angazhuar me një personel prej 83 trupash në Afganistan, e konkretisht në Kabul, Herat apo Mazar e-Sharif.

Pas vendimit për shtim të trupave në vitin 2018, kontributi i Shqipërisë pritet të përqëndrohet në “Force Protection”, këshillim dhe asistencë në Komandën e Perëndimit në Herat apo në skuadrën e operacioneve./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!