Ministrja e Mbrojtjes i është përgjigjur shqetësimit të Presidentit për rrezikun nga një tërmet i madh, duke thënë se të tilla fenomene janë të paparashikueshme, por gjithsesi vendi është i përgatitur për t’i përballuar. Xhaçka i kërkon dekretimin e ligjit të ri të emergjencave, por Presidenca thotë se firmosja e këtij ligji ka ndodhur me kohë.
Nuk ka asnjë parashikim konkret për ndonjë tërmet të rrezikshëm në Shqipëri. Këtë përgjigje, Olta Xhacka i jep Presidentit Meta e po ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.
“Aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, shkruan Xhaçka.
Pavarësisht kësaj, Ministrja e Mbrojtjes garanton kreun e shtetit se të gjitha masat shtetërore janë ndërmarrë.
“Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona”, deklaron ministrja.
Duke thënë se e mirëpret shqetësimin e Presidentit për ngjarje të tilla, Xhaçka ka një kërkesë për Metën.
“Shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”.
Nga zyra e Metës, erdhi reagimi i menjëhershëm përmes zëdhënësit Tedi Blushi.
“Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!”
Presidenca këmbëngul se informacioni për tërmete në vendin tonë dhe në rajon, është bazuar në botime shkencore serioze.
/ABC News Albania 24/7