Xhaçka: Hapja e Forcave të Armatosura për vajzat, një domosdoshmëri

schedule12:43 - 19 Shkurt, 2019

schedule 12:43 - 19 Shkurt, 2019

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka ka përcjellë 143 djem e vajza për në Shkollën e Trupës në Bunavi, ku për rreth 3 muaj do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, përpara se të betohen si ushtarët dhe detarët më të rinj të Forcave të Armatosura.

Ushtria nuk është një vend vetëm për burra. Ka ardhur koha që në Forcat e Armatosura të Shqipërisë të përfshihet edhe gjysma tjetër e popullsisë. Ky është mendimi i gruas që drejton Ministrinë e Mbrojtjes.

“Të hapësh Forcat e Armatosura për gratë e vajzat shqiptare është një domosdoshmëri! Dhe ne nuk mund të kemi më të mirët, më të talentuarit, më të përkushtuarit, nëqoftë se përjashtojmë nga përzgjedhja plot gjysmën e shqiptarëve”vetëm sepse janë gra dhe ushtria është vend për burra. Ne kemi nevojë për talentin e çdo djali dhe çdo vajze”.

Në ceremoninë e përcjelljes së 143 rekrutëve të rinj, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u shpreh e vetëdijshme që vendi ynë është ende larg hapjes së vërtetë të Forcave të Armatosura si një mundësi reale karriere për çdo vajzë e çdo grua që dëshiron t’i bashkohet kësaj organizate për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj.

“Për një organizatë si Forcat e Armatosura të Shqipërisë që sot janë duke përjetuar një process modernizimi e profesionalizimi sipas standardeve më të larta të NATO, kjo mbetet një sfidë që unë jam shumë besimplotë se mund ta fitojmë”.

143 djem e vajza që u përcollën për në Shkollën e Trupës në Bunavi, u përzgjodhën pas testimeve fizike, intelektuale dhe psikologjike nga Qendra e Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura. Pjesë e kandidatëve për ushtarë/detarë janë edhe 10 vajza, ndërkohë që 18 rekrutë janë me arsim të lartë./abcnews.al