Shqipëria e vajzave luajti ndeshjen e dytë ndaj Irlandës së Veriut, e vlefshme për Ligën e Kombeve për këtë kategori. Në sfidën e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin ‘Seaview’ në Belfast, vajzat kuqezi u mundën me shifrat minimale 1-0, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ekipit tonë për të marrë një rezultat pozitiv.
Trajneri Grima hodhi në fushë këtë formacion: Viona Rexhepi (GK), Matilda Gjergji, Armera Tukaj, Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Lucije Gjini, Alma Hilaj, Gresa Berisha, Marie Bashka, Megi Doçi (c), Kristina Maksuti
Vajzat kuqezi e nisin mirë lojën, teksa mundohen të kenë kontrollin e topit gjatë pjesës së parë. Në minutën e 20-të, kapitenia Megi Doçi provon portën nga jashtë zone, por topi përfundon mbi traversë. Pak minuta më vonë, portierja Viona Rexhepi shpëton dy herë portën tonë nga dy kundërsulme të shpejta të verioreve. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.
Ndërkaq, në fraksionin e dytë të lojës, vajzat kuqezi përpiqen të qarkullojnë topin dhe t’i afrohen zonës kundërshtare, sipas edhe direktivave të teknikut Grima. Por, në minutën e 57-të, irlandezet kalojnë në avantazh me Lauren Wade. Fillimisht, portierja Rexhepi pret topin e parë, por në zonë gjendet Wade, e cila përfiton nga rasti dhe realizon golin e parë. Trajneri Grima bën zëvendësimin e parë në minutën e 60-të, duke hedhur në fushë Mikaela Metallën në vend të Marie Bashkës.
Goli nuk i demoralizon kuqezezat, të cilat vihen në kërkim të barazimit. Është sërish kapitenia e Kombëtares ajo e cila kërkon të barazojë shifrat nga goditja e dënimit, por topi përfundon jashtë zone. Vajzat tona i afrohen edhe disa herë të tjera zonës kundërshtare, por nuk ia dalin të finalizojnë.
Ndeshja mbyllet me shifrat minimale 1-0, teksa pavarësisht rezultatit, vlen të theksohet paraqitja dinjitoze e vajzave tona kuqezi në këtë sfidë të Ligës së Kombeve. /FSHF