Edhe pse Roma arriti të siguronte fitoren e dytë në kampionat, përsëri nuk ka festë në kampin e verdhekuqve.
Dëmtimi i Wijnaldum në stërvitje dhe po ashtu edhe dëmtimi i Zaniolos në pjesën e parë të përballjes me Cremonesen kanë prishur jo pak planet e Jose Mourinhos.
Holandezi ka një dëmtim serioz, pasi pritet të rikthehet në fushën e lojës vetëm në fillim të vitit 2023, ndërsa për italianin mungesa është pak më e vogël, por gjithsesi ka humbur ndeshje të rëndësishme.
Trajneri portugez nuk do ta ketë të gatshëm italianin për sfidat me Juventusin, Monzen, Udinesen e Empolit, si dhe sfidën e parë në grup në Europa League.
Mourinhon tashmë ka një arsye më shumë për të këmbëngulur në afrimin e dy lojtarëve që ua ka bërë të qartë drejtuesve se deri në fund të merkatës kërkon një sulmues dhe një mesfushor.
“Wijnaldum kishte krijuar një eupati të jashtëzakonshme, pasi ishte gjithmonë i qeshur, ndërsa Zaniolo po gjente formën e tij më të mirë, ndaj më vjen keq. Merkatoja është e hapur ende dhe të gjithë e dinë që kam nevojë për një mesfushor e një sulmues. Skuadra ka treguar pjekuri dhe soliditet në mbrojtje, ndaj besoj se jemi në rrugën e duhur, por duhet të kompletojmë organikën”, tha Mourinho.
E nëse për sulmin është vetëm çështje ditësh firma me Andrea Belottin, ka dyshime për mesfushën, pasi duhet gjetur një profil “low cost”, që të mund të pranojë edhe pankinën. Për momentin është vet-ofruar Radja Nainggolan, por më parë duhet të japë miratimin Mourinho. /f.a/abcnews.al