Mesut Ozil nuk bën më pjesë në planet e Arsenalit dhe po pret fundin e sezonit për t’u larguar me parametra zero. Arsene Wenger, i cili drejtoi “Topçinjtë” për 22 sezone radhazi, e njeh mirë fantazistin, të cilin e vlerëson shumë në prononcimin e dhënë për ESPN.
“Unë nuk kam pasur kurrë probleme me Ozil, ai ka qenë gjithmonë një djalë me aftësi të veçanta krijuese. Mesut është një artist dhe këta lloj lojtarësh janë më të ndjeshëm se të tjerët. Kanë nevojë për mbështetje dhe një ambient që i frymëzon për të dhënë më të mirën.
Ka dy mënyra për të ndërtuar një skuadër futbolli: në një rast i detyron të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. Punë e barabartë intensive dhe të gjithë gati për të sakrifikuar në aspektin mbrojtës. Rasti tjetër ka lidhje me kompromisin që arrin të bësh.
Nëse ke në përbërje një lojtar kreativ dhe jo defensiv, mund ta ndërtosh skuadrën rreth tij. Kjo kompenson disa nga disavantazhet që të krijohen. Këta janë dy mundësitë dhe një klub duhet të mendojë mirë se çfarë të zgjedhë“, deklaron francezi i njohur. /abcnews.al