WELCOME TO UKRAINE! Ekipi i ABC nën “lëkurën” e të “pushtuarve”: Lufta ka filluar

schedule10:08 - 19 Shkurt, 2022

schedule 10:08 - 19 Shkurt, 2022

Nga Linda Karadaku

Lufta ka gjithmonë një simbol, ndonjëherë një kodër, ndonjëherë një lumë, ndonjëherë një grua me foshnjën e saj në krahë, ndonjëherë një qiell që nxin nga predhat dhe klithmat e viktimave.

Për mua, simboli i Ukrainës është ky ushtar i ri në kufi, me sy të kaltër që të kujtojnë flamurin dy-ngjyrësh të këtij vendi dhe hapësirën pa fund që shkon deri në kufijtë e Rusisë, fqinjit problematik që qëndron aty, i madh dhe kërcënues.

Djali i ri ukrainas reagon me instikte të qarta ushtaraku, duke mbërthyer me një shikim targën tonë shqiptare, dhe pastaj buzëqesh, me ata sy që shpërndajnë mirësi.

-Allbanija?- pyet me një zë të butë, por të vendosur.

-Allbanija, Allbanija, – përgjigjemi pothuaj në një zë dhe me një lloj lehtësimi të tre.

Marrim frymë thellë, nuk e dinim çfarë na priste në kufi, a do të hynim, si do të ishin kontrollet, a do të kërkonin dokumente shtesë. Në fakt, tre kontrolle njëri pas tjetrit, ushtria këtu kontrollon vijën kufitare.

Në të fundit, djaloshi me sy blu na përshëndet, duke na bërë shenjë të ecim, të vazhdojmë drejt zemrës së vendit, në Ukrainën Perëndimore.

-Welcome to Ukraine!

Duket sikur ky vend ka vendosur të qëndrojë në këmbë, pavarësisht se çfarë ndodh. Shkojmë drejt Lvivit, kryeqyteti i dytë i Ukrainës, një qytet i themeluar në shekullin e 13-të, që ka ndryshuar shumë flamuj që atëherë, duke qenë pjesë e Polonisë, Austro-Hungarisë, dhe Bashkimit Sovjetik.

Flamuri ukrainas valëvitet këtu, në një qytet të kthyer tashmë në një qendër të zhurmshme diplomatësh, gazetarësh dhe gjithfarë të huajsh. Turizëm politik, ushtarak dhe informacioni, e quan një miku im këtu. Mund të dëgjosh disa nga gjuhët e Evropës në këtë qytet ndërkohë që vendasit vazhdojnë jetën duke shpresuar fort se asgjë nuk do të ndodhë, se nuk do të ketë luftë, se bota e qytetëruar do ta mbrojë Ukrainën nga një sulm masiv rus.

Nuk më duket fort bindëse, por kuptoj që njeriu e dëshiron paqen me gjithë shpirt, edhe kur ajo duket se po shkërmoqet.

-Ata nuk kanë mjaftueshëm ushtarë për të sulmuar Ukrainën, ata nuk mund ta kontrollojnë hapësirën tonë ajrore, ne kemi më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, nuk do të ketë sulm, – më thotë miku im ukrainas, Adriani.

Por brenda të njëjtës fjali ka kontradikta. Më shpjegon në të njëjtën përgjigje sesi rusët po bëjnë përgatitje inxhinierike në kufi me Ukrainën, aty ku tashmë ka një rrethim të kufijve të këtij vendi, me rreth 130 mijë ushtarë ruse. Duket se e gjithë panorama në kufijtë e Ukrainës me

Federatën Ruse dhe Bjellorusinë, flet për të kundërtën. Pyetja mbetet, ku, çfarë, dhe sa masiv mund të ishte një sulm i tillë.

Kanë filluar lajmet. Televizionet ukrainase fillojnë dhe mbarojnë edicionet me atë që po ndodh, presidenti rus Putin, presidenti ukrainas Zelensky, presidenti amerikan Biden, pastaj liderët evropianë njëri pas tjetrit. Duket si një paradë presidentësh dhe kryeministrash që janë rreshtuar në fushë për të luajtur shahun e frikshëm të luftës, me ushtarët, kështjellat dhe oficerët e tyre në prapavijë.

Adriani më tregon një hartë të Ukrainës ku janë shënuar me të kuqe zonat e nxehta brenda vendit që janë në fakt jashtë kontrollit të qeverisë së Kievit. Donbasi, Harkivi, Donjetsk, Luhansk, për të mos përmendur Krimenë. Pastaj një tjetër zonë, vetëm 130 kilometra nga kryeqyteti i vendit, Kiev. Harkivi, vetëm 50 kilometra nga kufiri me Rusinë.

Lexo edhe: Kriza në Ukrainë, ekipi i ABC udhëton drejt zonës së “rrezikut”, Linda Karadaku: Vendasit nuk besojnë se do të ketë luftë

Shohim përsëri lajmet, analistë ukrainas debatojnë për çfarë po ndodh, ka apo nuk ka tërheqje të trupave ruse. Dhe pastaj paralajmërimi i Biden për sulmin.

Adriani më tregon deklaratën e bërë nga dy liderët e Donjetskut dhe Luhanskut për evakuimin e civilëve në Donbas, sipas tyre, sepse pritet “sulm nga forcat ukrainase” në këtë zonë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

-Propogandë ruse,- thotë, ndërkohë që porosit vodka ukrainase që bëhet nga gruri, një pije e fortë, por që sic thotë Adriani, nuk të jep dhimbje koke.

Ndërkohë në TV po flet një ushtarak ukrainas, spikerja duhet shumë e përmbajtur, por fytyra i shpreh qartë shqetësim dhe ankth që duket sikur e mbyt me një fasadë force.

Ushtria, policia, rezervistët, garda…bëhen dikund rreth 600 mijë ushtarë ukrainas, – thotë miku tjetër ukrainas, me një zë të vendosur.

Kontradikta shpirtërore e rradhës, nuk do të ketë sulm, por ne kemi me cfarë të luftojmë…përsëri dëshira normale njerëzore për paqe, edhe kur lufta troket në derë.

Federata Ruse kërkon që Ukraina të mos bëhet pjesë e NATO-s, sepse NATO në kufijtë e saj përbën rrezik.

-Vendet e Baltikut janë në NATO që prej kaq vjetësh, cfarë problemesh sigurie i shkaktuan Rusisë, – më thotë Adrian, duke ecur në rrugët e kalldrëmta të qytetit të vjetër të Lvivit.

Kemi ardhur në bulevardin Virmenska dhe ndërtesat e vjetra dhe rrugicat të kujtojnë qytetet e vjetra të Evropës, pak Praga, pak Vjena, pak qytetet italiane. Një qytet kaq evropian, sa harrojmë që jemi kaq shumë kilometra larg shtëpisë, dhe kaq afër Rusisë.

-A do të ketë luftë, – pyet me ftohtësinë e mbrapshtë të gazetarit, që kërkon lajm dhe planifikim të itinerarit të rrugës.

-Lufta ka filluar, – më thotë miku im ukrainas,- filloi në Krime, pastaj në Donbas…

Harroj që e gjitha ka filluar që në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë. Riformuloj me mendjen time pyetjen: Cila është shënjestra e rradhës, ku, sa viktima do të shkaktojë, dhe më kryesorja, çfarë do të bëjë bota e civilizuar? Kush do ta mbrojë Ukrainën, përveç “600 mijë ushtarëve nën armë”?

Pyetja me turbullon mendjen më shumë se vodka ukrainase. Ndërkohë në Bulevardin Virmenska, një vajzë e re ukrainase, me sytë blu si qielli i Lvivit, po mundohet të më gjejë dy dhoma hoteli, në këtë qytet të tejmbushur tashmë, kur është vështirë edhe të gjesh një vend për të fjetur.

-T’i gjeta, – më thotë, – janë këtu afër.

Jemi përsëri në Bulevardin Virmenska, në rrugicat me kalldrëm, dhe përfytyroj si kanë kaluar këtu, në këmbë, me kuaj, dhe më vonë me makina, polakët, austro-hungarezët, pastaj rusët nën emrin e Bashkimit Sovjetik…Zëri i bukuroshes ukrainase më ndërpret ëndërrimet e lodhjes nga kilometrat mes për mes Evropës, duke më kujtuar se këtu, pavarësisht nga gjithkush dhe gjithcka, kanë qenë dhe mbeten ukrainasit, në qytetin dhe vendin e tyre.

-Welcome to Ukrainë,- thotë ukrainasja me zërin e embël si të një sopranoje.

Do të doja të kisha ardhur këtu në një kohë tjetër, mendoj me vete, ndërkohë që në sfond dëgjohen këmbanat e njërës prej kishave më të vjetra të Lvivit. Në vesh më tingëllon ende “Welcome to Ukraine…”!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!