“WBU” pret studentët e parë, shkencëtarja e imazherisë mjekësore në Kembrixh për ABC: Sjellim metodat më të avancuara botërore

schedule17:43 - 3 Shtator, 2022

schedule 17:43 - 3 Shtator, 2022

Shkencëtaren e imazherisë mjekësore në Kembrixh e takuam në Tiranë.

Nisja e vitit të ri akademik është pranë dhe Evis Sala po ndanë detyrat e fundit me stafin e universitetit më të ri në vend.

Profesorja shqiptare me një karrierë të spikatur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Rektore themeluese e Western Balkans University.

Vjen  në Atdhe  ku përfundoi  fakultetin e Mjekësisë dhe më pas u specializua në Institutin Onkologjik  për të kontribuar në formimin e brezave të rinj.

“Karriera tamam akademike ka filluar në Angli në vitin 1996 në Universitetin e Kembrixhit në Biostatistikë dhe Epidemiologji. Pastaj vijoi me një Doktoratë dhe më vonë filloi specializimin në Radiologji për pesë vjet. Vitin e fundit siç është rregulli në Mbretërinë e Bashkuar krijohet mundësia për të bërë një  trajnim në një fushë më të ngushtë dhe unë e kam bërë këtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Imazheri Pelvike Onkologjike”, tha Sala. 

Prej shumë vitesh Doktoreshë Sala është Profesoreshë e Imazherisë Onkologjike në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo gjithashtu bashkë-drejton Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit në Qendrën e Kembrixhit për Kërkimin e Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Tumoreve.

“Jam kthyer pastaj në Kembrixh si staf, si lektore, sot pozicionet kanë ndryshuar në asistent profesor ku kam punuar deri në vitin 2012.  Më pas jam kthyer në Amerikë si profesore e Radiologjisë dhe si mjeke për të drejtuar një staf kliniko- akademik prej 35 vetash dhe më pas brenda gjashtë vitesh 55 veta duke bërë një zhvillim si akademik dhe mjekësor për trajtimin  e kancerit  në një qendër shumë të njohur.  Jam kthyer në Kembrixh si profesore e Imazherisë Onkologjike në 2012 dhe kam drejtuar një ekip si nga ana shkencore dhe ajo mjekësore duke pasur përvojë në të dy kontinentet.  Ka qenë një  kënaqësi e madhe t’i shpërbesh pacientit, por dhe si edukatore është kënaqesi shumë e madhe të frymëzosh dhe të rrisësh brezin e ri  të kërkuesve në këtë rast në  fushën e mjekësisë dhe imazherisë që ne këtë rast imazheria me inteligjencën artificiale dhe bumin e digjitalizimit është një nga degët që ndryshon,  avancon në mënyrë të paparë”, tha Sala.

Profesoreshë Sala bashkë me një ekip të përzgjedhur studiuesish vendas dhe të huaj synojnë të të sjellin në Shqipëri, praktikat dhe metodat më të avancuar botërore në fushat e mjekësisë, teknologjisë dhe inovacionit në universitetin Western Balkans.

“Çdo rresht i programit do të jetë i ndërtuar në bazë të grupeve të punës së dy vendeve me ardhjen këtu dhe të ekspertëve anglezë nga Kembrixh dhe për të punuar në mënyrë të ngushtë.  Jo vetëm ndërtimi i kurrikulës që është fazë e parë, por dhe aplikimi  ndërthurja  me praktikën në spital. Kjo do bëjë që kur ajo diplomë të merret në fund të programit mjekësor, ata studentë që mbarojnë të jenë të përgatitur të japin  provimin e njohjes në Angli sepse janë mësuar me të njëjtin projekt. Nuk mbaron këtu se pas kësaj është viti intershipit. Kemi krijuar mundësira që një pjesë e studentëve, ata që dalin më mirë sigurisht, kanë një iniciativë që të bëjnë intership në Kembrixh apo universitete të tjera si ai Gracit apo të tjerë qe jemi ende në marrëveshje. Përtej kësaj është specializimi që varion nga 3 në 5 vjet. Do të nisin marrëveshjet për ta bërë në spitale në Mbretërinë e Bashkuar. Më vone është  tregu i punës. Ne e duam Shqipërinë dhe të vijojmë të punojmë në Shqipëri nuk ka nevojë që truri të dalë i gjithi. Mund të dalë për një periudhë të caktuar të bëjë eksperiencën dhe të kthehet për t’i shërbyer pacientëve shqiptar”, shtoi Sala. 

Dijet e marra në klasa pa u aplikuar në praktikë thotë doktoresha nuk i shërbejnë qëllimit për ti ardhur në ndihmë sa më mirë pacientit. Western Balkans University zgjidhjen e ka gjetur falë bashkëpunimit me Spitalin Amerikan dhe atë Hygeia.

” Është gjëja më e bukur që njeriu duhet të bëjë, të lësh diçka për brezat që vijnë. Kam ardhur në Shqipëri herë pas here për të dhënë leksione por tani është krijuar mundësia nëpërmjet Western Balkans University për të ndihmuar në krijimin e një strukture të mirëfilltë të një fakulteti mjekësie që të jetë i standardeve europiane botërore. Laboratorët paraklinikë deri tek  pjesa e aplikuar. Mundësia është unike se jo vetëm ofrohet kualiteti akademik përmes mësimdhënies, por  mos harrojmë që flasim për një degë mjekësore dhe mësimdhënia e pa lidhur me anën praktike është një mësimdhënie që nuk i shërben mirë pacientit.  WBU ka bazën  spitalore përmes Spitalit Amerikan dhe Hygeias për të bërë praktikën. Do të bëhet një lidhje organike siç ndodh dhe në vende të tjera të botës praktikisht dhe në universitetin e Kembrixh”, tha Sala. 

Ndërsa pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri akademikë Rektorja themeluese e Western Balkans University i drejton këtë mesazh të rinjve.

“Është një moment shumë i veçantë në jetën tuaj të dashur student pasi është një moment pak i frikshëm mbase, por në të njejtën kohë shumë eksitues. Është ai moment që keni luftuar, keni punuar vite të tëra për të arritur këtu dhe ky është momenti të zgjedhësh çfarë do të bësh në etapën tjetër. Unë ju uroj të zgjidhni Western Balkans University sepse  do ta ndjeni që në momentin  që do të hyni në ambjenët e universitetit do që jeni në një institucion bashkëkohorë, që ka vision, që e ndjenë të ardhmen sepse pa patur një ide ku do ta shohësh veten pas 5 vjetësh  është e veshtirë të jetosh të tashmen.  Prandaj iu uroj të aplikoni. Nuk do ngeleni të zhgënjyer.”

Western Balkans University mirëpret këtë vit studentët e parë në fushat e mjekësisë, teknologjisë dhe inovacionit në 3 fakultete dhe 12 programe studimi, të ciklit të parë Bachelor dhe atij të dytë Master./Abcnews.al/