VV në zgjedhje pa Albin Kurtin dhe 4 të tjerë, askush s’mund t’i zëvendësojë

schedule16:42 - 26 Janar, 2021

schedule 16:42 - 26 Janar, 2021

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me 5 kandidatë për deputetë më pak në zgjedhjet e 14 shkurtit, përfshirë kryetarin e partisë, Albin Kurti. Ky zhvillim vjen pas vendimit që e mori sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriçi dhe Labinotë Demi Murtezi nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet parlamentare. Sipas vendimit, ata nuk ka të drejtë t’i zëvendësojë askush, pasi PZAP thotë se ka kaluar afati për këtë.

“Kandidatët për deputet të cekur në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zëvendesohen me kandidatë të tjerë”, thuhet në pikën e tretë të vendimit të PZAP-së.

Paneli ka vendosur se LVV s’ka mundësi më t’i zëvendësojë pesë kandidatët e saj që ishin dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit, pasi këtë kanë mundur ta bëjnë deri më 21 janar, kur edhe është mbyllur afati. Ndaj këtij vendimi, LVV mund të ankohet në Gjykatën Supreme dhe ka 24 orë afat për ta bërë këtë.