Vuk Drashkoviç: Kosova është e humbur për Serbinë, është realitet!

schedule15:35 - 26 Shtator, 2019

schedule 15:35 - 26 Shtator, 2019

Vuk Drashkoviç, lider i një partie të vogël opozitare dhe ish-Ministër i Jashtëm i federates serbo-malazeze, deklaroi se Serbia e ka humbur Kosovën që në vitin 1999 dhe këtë realitet të vrazhdët serbët duhet ta pranojnë. Ai këshilloi presidentin serb Aleksandar Vuçic që të jetë një De Gol serb.

Ish-ministri i JASHTËM i bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç ka deklaruar se Kosova është një realitet i vrazhdët të cilin serbët dhe Serbia duhet ta pranojnë. Duke folur për televizionin e pavarur N1, Drashkoviç ka rikujtuar se ka qenë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ai që, edhe me pëlqimin e Rusisë dhe të Kinës, me rezolutën që miratoi më 1999 ai që dëboi Serbinë nga Kosova.

“Realitet i vrazhdët. Me Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 10 qershor të vitit 1999, pas kapitullimit të regjimit të Slobodan Milosheviçit në luftën me Aleancën e NATO-s, shteti i Serbisë u përzu njëherë e përgjithmonë nga Kosova. U përzu! Dhe ne këtë fakt duhet të pranojmë dhe ta njohim, patjetër. Për këtë rezolutë votoi Rusia dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e saj. Kina nuk ishte kundër. I gjithë Këshilli i Sigurimit ishte për këtë dëbim të shtetit të Serbisë nga Kosova”.

Vuk Drashkoviç lë të kuptohet se është i pakuptueshëm angazhimi i tanishëm i Moskës dhe Pekinit zyrtar për gjoja mbrojtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën për shkak se, thotë ai, për heqjen e tij ata dhanë kontribut të rëndësishëm: ‘Cili është qëllimi i kësaj politike që populli serb këtu të mbahet në një hipnozë, në një bindje të rrejshme se Kosova është edhe më tej krahinë autonome e Serbisë? Pra, Kosova është e humbur. Ky është realiteti.’

Politikani dhe shkrimtari Drashkoviç çmon se pavarësisht kësaj, nuk është humbur populli serb në Kosovë, thesari kulturor, kishat, manastiret për ruajtjen dhe mbrojtjen e të cilave duhet të angazhohet shteti serb, por tërheq vërejtjen ai, kjo mund të bëhet vetëm në një bashkëpunim strategjik me Evropën dhe Amerikën, por edhe me një marrëveshje të sinqertë me shqiptarët në Kosovë.

Duke folur për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi, ish kryediplomati jugosllav, ka riargumentuar idenë e tij të moçme se Kosova dhe Serbia mund të jetojnë ashtu siç kanë jetuar dy Gjermanitë, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ky është një propozim që ka ardhur nga gjermanët, si përvojë e tyre: nuk është e thënë që Serbia dhe Kosova të shkëmbejnë formalisht ambasadorë dhe që të publikohet njohja zyrtare, por duhet të arrihet pajtjetër një marrëveshje juridikisht e detyrueshme për pranimin e realitetit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm. Në këtë bashkëpunim të gjithanshëm mund të arrihet kompromisi”,  thotë Drashkoviq. Sipas tij, në rrethana të këtilla edhe mund të ketë ndonjë korrigjim të vogël të vijës kufitare, por kjo nuk nënkupton shkëmbim të territoreve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!