Vuçiç fton Abazoviçin t’i bashkohet Ballkanit të Hapur në takimin e radhës në Ohër

schedule11:15 - 25 Maj, 2022

schedule 11:15 - 25 Maj, 2022

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër.

Abazoviç, në njoftimin e tij për takimin, tha se vendi i tij është duke bërë u përpjekur që të ketë një politikë bashkëpunuese me qeverinë serbe dhe u shpreh i gatshëm për intensifikim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Mali i Zi po bën çdo përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet me Serbinë janë në prioritet – jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”.

Nga ana tjetër, Vuçiç në postimin e tij në Instagram thotë se kanë folur edhe për nismën Ballkani i Hapur dhe se e ka ftuar Abazoviçin që t’i bashkohet në takimin e ardhshëm të tri vendeve anëtare të kësaj nisme, i cili do të mbahet në Ohër, raporton Gazeta Express.

Përkundër që deri tash Mali i Zi ka qenë kundër nismës së Ballkanit të Hapur dhe ka refuzuar pjesëmarrjen, kryeministri Abazoviç është shprehur pro saj, duke thënë se nisma është bërë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, Abazoviç disa orë më parë ka takuar edhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin folën për qëllimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Europian.

Po ashtu, Abazoviç në margjinat e këtij forumi është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. /express