Vuçiç zemërohet për vendin e caktuar në funeralin e Bush

schedule15:31 - 6 Dhjetor, 2018

schedule 15:31 - 6 Dhjetor, 2018

Vendi i caktuar për Serbinë dhe për Kosovën zemëroi përsëri presidentin Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit tashmë pretendon se Hashim Thaçi paguan shuma të majme për t’u ulur afër liderëve botërorë në evente ndërkombëtare.

Përsëri në një event publik ndërkombëtar u la në hije, ndërsa nga ana tjetër homologut të tij kosovar iu rezervua një vend shumë i mirë. Funerali i ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë Xhorxh Herbert Ualker Bush, u bë shkak që presidenti serb Aleksandër Vuçiç të zemërohet përsëri për karriken që i ishte caktuar nga organizatorët. Madje ai akuzoi Hashim Thaçin se paguan shuma të majme që të ulet afër liderëve të rëndësishëm.

Aleksander Vuçiç, President i Serbisë:  “Me cilin protokoll, ma shpjegoni. Ishte e mundur vetëm me para ose lobistë. Unë po ju them, gjithçka ka ndodhur vetëm nga paratë si në Paris ashtu dhe në Uashington. Nuk mendoj se është rezultat y diçkaje tjetër. Bëhet fjalë për para të majme që i paguajnë të dërguarit e tij, emigrantët e jo shteti i tij. Para së gjithash ata nga New York-u, por edhe nga Zvicra, Gjermania, Italia.. Të mos keni iluzione se diçka tjetër është në lojë. Merreni me mend Thaçi – një luftëtar i njohur për të drejtat e njeriut – ta ketë merituar me diçka tjetër ulësen ngjitur me Merkelin”.

Megjithatë, presidenti serb aludoi edhe një mundësi tjetër për atë se si u bë e mundur që Thaçi t’i sigurojë këto ulëse kaq të rëndësishme në Francë e Amerikë. Sipas Vuçiç, ndoshta dikush i “fuqishëm” po e ndihmon atë, duke përfaqësuar interesat e Prishtinës. Por ai tha në fund se kjo shumë pak gjasa të jetë e vërtetë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!