Dokumentari tronditës “Sarajevo Safari” ka rikthyer në vëmendje një prej episodeve më të errëta e ende pak të njohura të luftës në Bosnje: fenomenin makabër të të ashtuquajturve “turistët e vdekjes”, të huaj që paguanin për të qëlluar mbi civilët e rrethuar të Sarajevës. Në një intervistë për “War Report”, gazetari italian Ezio Gavazzeni, i cili u gjend në qendër të një sensacioni ndërkombëtar pas padisë së ngritur ndaj tij në Milano rrëfen se pas hetimeve të tij, nuk ka prova që politikanë ballkanikë të kenë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë trafik, por thekson se mes “gjuetarëve” kishte profesionistë dhe industrialistë nga vende të ndryshme perëndimore.
Ai shton se, ndonëse fokusi i tij ka qenë kanali perëndimor, ekzistojnë dëshmi se edhe shtetas rusë kanë qëlluar mbi popullsinë civile përmes një rruge tjetër të organizuar.
U kthyet në një sensacion mbarëbotëror, me padinë që ju ngritët në Milano dhe lajmi u kthye në kryefjalë të mediave ndërkombëtare. Ka patur spekulime me shifrën, por çështje me interes janë aludimet që kanë dalë se në këtë ‘kënaqësi’ në vrasjen e civilëve ka patur të përfshirë edhe figura të larta politike në Ballkan, a keni arritur të merrni informacion për diçka të tillë?
Ezio Gavazzeni: Nuk kam informacion në lidhje me politikanët në Ballkan unë flas për turistë, turistët ishin profesionistë dhe industrialist sipërmarrës, italianë por jo vetëm vinin nga të gjitha vendet perëndimore, klienti ishte i këtij profili, unë nuk kam të dhëna në lidhje me politikanët ballkanas të angazhuar, implikuar në këtë trafik. Mund të them që gjuetarët ishin në Sarajavë, por Sarajeva ishte e rrethuar nga trupat dhe ishte e vërtetë se nuk mund të shkonim në zonat e ushtrisë pa patur një marrëveshje me ushtrinë.
A keni më shumë informacion se kush ishte kombësia që mbizotëronte? A ishin rusët të përfshirë në vrasjen e këtyre civilëve në Sarajevë?
Ezio Gavazzeni: Unë mund të them këtë që rusët përdornin një kanal të ndryshëm për të arritur edhe të gjuanin mbi popullsinë. Ka dëshmi që edhe shtetas rusë kanë qëlluar mbi popullsinë civile por kanali që kanë përdorur rusët nuk ishte kanali që përdornin europianët. Unë jam fokusuar mbi kanalin e përdorur nga vendet perëndimore dhe nuk kam patur asnjë qasje në kanale të ndryshme edhe pse lajmi që kishte një kanal tjetër më ka mbërritur, po kjo është e vërtetë.

