Vuçiç: Ushtria të jetë në gatishmëri në çdo moment

schedule15:10 - 23 Prill, 2018

schedule 15:10 - 23 Prill, 2018

Mediat serbe raportojnë se Presidenti i vendit Aleksandër Vuçiç ka kërkuar që ushtria të jetë në gjendje gatishmërie në çdo moment për t’u përballur si duhet me çdo lloj situate agresioni.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, deklaroi se ushtria në vend duhet të jetë në gjendje gatishmërie në çdo moment ndaj çdo agresori potencial. Lajmi raportohet nga mediat serbe, të cilat shtojnë se Vuçiç theksoi se politika në vend duhet të ruajë me çdo kusht stabilitetin në mënyrë që ushtria të mos detyrohet të veprojë. Deklaratat e kreut të shtetit serb u bënë në ditën e Ushtrisë së Serbisë, ku ai shtoi se shteti çdo vit ndan 600 milionë euro për ushtrinë.

Ndërkohë Biellorusia i ka dhuruar Serbisë katër avionë luftarak “Mig-29”, të cilët pas disa riparimeve do të modernizohen sipas modelit të 6 avionëve tjerë luftarakë që i janë dhuruar nga Rusia. Konfirmimi u bë nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin. Ky i fundit tha se dhurimi i këtyre avionëve u bë pas një marrëveshjeje mes Presidentit serb, Vuçic dhe atij bjellorus, Lukashenko. Ministri serb i Mbrojtjes theksoi se për një vit, Serbia do të ketë avionë të modernizuar “mig-29”, si dhe do të ketë helikopterët e parë “H-145M”. Vulin shtoi se ka pasur përpjekje për shkeljen e hapësirës ajrore të Serbisë, të cilat siç ka thënë ai janë zbuluar dhe parandaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!