Vuçiç: Ukraina do të humbë gjithçka, nëse e njeh Kosovën

schedule08:40 - 9 Gusht, 2023

schedule 08:40 - 9 Gusht, 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se presidenti i Ukrainës Vlodymyr  Zelensky nuk do ta hedhë këtë aty”, tha Vuçiç.

Ukraina është duke u përballur me një agresion rus që nga shkurti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e saj. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas, Krimenë.

Ndonëse nuk ka vendosur sanksione ndaj agresionit rus atje, ai shtoi se Ukraina është mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve, transmeton KosovaPress.

Vuçiçi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarëve të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiç tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”

“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!