Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Sochi.
“Secili takim me presidentin e Federatës ruse, Vladimir Putin, ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë”, shkroi presidenti serb në llogarinë e tij në Instagram, krahas një videoje në të cilën shihej duke u përshëndetur me Putinin.
Vuçiç qëndron në Rusi për vizitë njëditëshe, (25 nëntor) dhe siç është paralajmëruar, takimi me Putinin po mbahet në katër sy.
Në prag të takimit, presidenti serb, Vuçiç, deklaroi që me presidentin e Rusisë do të bisedojë rreth temave kryesore politike, bashkëpunimit tregtar, si dhe për çmimin e gazit.
Vuçiç ka thënë se do ta lusë presidentin Putin dhe do të luftojë për çmim më të arsyeshëm të gazit, e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub.
“Kam tremë të madhe, por edhe përgjegjësi të madhe nga biseda me Putinin, nuk e di nëse do të ketë mirëkuptim dhe do të miratojë çmim më të arsyeshëm të gazit”, tha Vuçiçi më 24 nëntor derisa u drejtohej gazetarëve.
Serbia në tërësi varet nga gazi rus. Marrëveshja me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021, derisa në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re, e presidenti serb qysh më 15 tetor për transmetuesin publik serb kishte deklaruar që pala ruse propozoi çmim tri herë më të shtrenjtë krahasuar me atë aktual.
Para udhëtimit në Rusi, Vuçiç deklaroi se ‘takimi me Putinin është shumë i rëndësishëm për Serbinë’.
“Do të flasim për situatën në rajon, dua ta informoj për gjithçka çfarë po ndodh në bisedime lidhur me Kosovën dhe çfarë po ndodh në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se do të bisedojë edhe për tema globale.
“Është krejtësisht e sigurt që nga Putini do të mund të dëgjoj se si e sheh ai situatën në Evropë e Azi, por edhe në botë, dhe si ne si shtet i vogël duhet të gjejmë pozitën më të mirë dhe t’i mbrojmë interesat tonë”, shtoi Vuçiç.
Takimi ndërmjet Vuçiçit dhe Putinit më 25 nëntor është i 19-i me radhë.
Vuçiç për herë të fundit ishte takuar me Putinin në qershor 2020, kur mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë me rastin e shënimit të 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore./REL