Vuçiç pas mbledhjes së Këshillit të sigurisë: Kemi dokumentuar operacione të agjentëve rusë

schedule23:30 - 21 Nëntor, 2019

schedule 23:30 - 21 Nëntor, 2019

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se video xhirimi ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë, nuk është bërë nga Shërbimi Ushtarak serb i zbulimit.

Ky shërbim, sipas Vuçiç, ka qenë në dijeni për ngjarjen që ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit 2018, kur shërbimi serb i sigurisë kishte siguruar të dhëna se në Zemun, diku rreth orës 18:00 nënkoloneli në pension me iniciale Z.K do të takohej me nënkolonelin rus Georgi Kleban, ndihmës i atasheut ushtarak rus në Serbi dhe që tashme nuk është më në territorin e Serbisë.

“Mund t’ju them se në disa raste kemi konstatuar dhe dokumentuar me foto e video takimet e nënkolonelit rus Georgi Kleban me pjesëtarët e ushtrisë serbe. Vetëm  për Georgi Klebanin janë dokumentuar 10 kontakte me tri burime konspirative dhe prej tyre, në tri raste, nënkoloneli Kleban u ka dhënë para pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë. Por kemi video dhe foto të dokumentuara edhe për pjesëtarë të tjerë të shërbimit rus të sigurisë me pjesëtarët e strukturave ushtarake serbe. Kemi dokumente edhe për takime të agjentëve të tjerë me nëntë pjesëtarë të forcave tona të armatosura”.

Një ditë më parë presidenti serb kishte urdhëruar hetimin e video xhirimit, ndërsa të enjten takoi ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Bocan-Harchenko.

“I kam bërë pyetje sot, njeriut të jashtëzakonshëm, ambasadorit serioz të Federatës ruse, Alexandër Bocan Harchenkos; përse? Asgjë më shumë. Nuk kam parë kurrfarë logjike”.

Presidenti  serb ka theksuar se Serbia ka marrëdhënie shumë miqësore me Rusinë, duke nënvizuar mbështetjen e saj për integritetin e Serbisë, për pajisjen e ushtrisë së saj dhe mbështetjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Jam bindur, të paktën kështu mendoj, se presidenti Putin nuk ka qenë i informuar për gjëra të tilla”.

Presidenti Vuçiç, tha se tërë kjo çfarë ka ndodhur e ka forcuar pozicionin politik të Serbisë e cila do të forcojë neutralitetin saj ushtarak. Serbia tha ai, nuk do të hyjë në NATO, por as në ndonjë aleancë tjetër ushtarake. Vuçiç pritet të udhëtojë në Moskë më 4 dhjetor për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, takimi i tretë gjatë këtij viti. Por për momentin është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë ky skandal spiunazhi në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!