Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vuçiç paralajmëron vizitë zyrtare në Kinë

schedule21:45 - 12 Dhjetor, 2025

schedule 21:45 - 12 Dhjetor, 2025

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 12 dhjetor paralajmëroi se po përgatitet për një vizitë zyrtare në Kinë, ku do të shkojë së shpejti.

Ai tha në Nish, në jug të Serbisë, se ka biseduar me ambasadorin e Kinës në Beograd, Li Ming, për përgatitjet për këtë vizitë, raporton agjencia e lajmeve, Beta.

“Për mua kjo do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme. I jam mirënjohës presidentit të Kinës, Xi Jinping, për mbështetjen që na ofron në çdo aspekt. Kjo do të jetë një vizitë zyrtare. Kam qenë shumë herë në Kinë, por ato kanë qenë vizita pune, ndërsa kjo do të jetë një vizitë zyrtare”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se “Kina është një mike e sinqertë dhe e palëkundur e Serbisë”.

Presidenti i Serbisë u takua më 4 shtator me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin, dhe atëherë i kërkoi Kinës të ndihmojë Serbinë në fushën e investimeve.

Vuçiç atëbotë zhvilloi një vizitë disaditore në Pekin, ku me ftesë të presidentit kinez mori pjesë në shënimin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Në korrik 2024 hyri në fuqi marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, e cila parasheh heqjen e tarifave doganore për rreth 20.0000 produkte.

Nga Banka Popullore e Serbisë thanë në muajin prill, se sipas shteteve, investimet më të mëdha të huaja direkte në Serbi, bazuar në të dhënat e disponueshme për vitin 2024, kanë ardhur nga Kina.

Investitorët më të mëdhenj kinezë në Serbi janë kompania Zijin, e cila në vitin 2018 investoi në RTB Bor, si dhe kompania Hestil, e cila bleu Uzinën e Çelikut në Smederevë në vitin 2016.

Për shkak të intensifikimit të bashkëpunimit të Serbisë me Kinën që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012, ndaj Beogradit zyrtar disa herë kanë ardhur kritika dhe paralajmërime nga Brukseli dhe Uashingtoni.   / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!