Vuçiç paralajmëron ndryshim të qasjes në dialog: Pres lajme të këqija

schedule12:56 - 17 Mars, 2024

schedule 12:56 - 17 Mars, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se do të ndryshojë “doktrinë dhe qasje” në dialogun me Kosovën. Vuçiç të dielën ka pritur në Beograd nxënës serbë nga Kosova.

Ai duke folur për gazetarë pas takimit, ka thënë se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog.

“Kur dikush të mashtron një herë, kjo u ndodh njerëzve të mirë sepse i besojnë fjalës apo nënshkrimit të dikujt. Por, kur të mashtron për herë të dytë, ju mund të keni besuar tepër apo keni dashur të besoni. Nëse vazhdon kështu, atëherë nuk flitet për atë që të ka mashtruar, por se jeni budalla. Ne nuk jemi më aq budallenj”, ka thënë Vuçiçi, i cili ka shtuar se mbetet i hapur për dialog por “më ndryshe”, raportoi “Danas.rs”.

Ai ka thënë se në ditët në vijim e presin lajme të këqija Serbinë.

“Do t’ua shpjegoj se si na mashtruan disa të ashtuquajtur miq dhe na gënjyen në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. U thamë se çfarë do të ndodhë nëse kjo ndodh, sepse ata mendojnë se kanë të drejtë të zbatojnë marrëveshjen në mënyrë mashtruese. Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse qëllimi i dikujt është që të shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës e Metohisë. dhe t’u sigurojë legjitimitet e ligjshmëri të plotë veprimeve të atyre që i dëbojnë serbët. Është vetëm një pjesë e asaj që na pret”, tha Vuçiçi.

“Çdo gjë mund ta zbatoni me forcë, por do të duhet të thoni se po e zbatoni me forcë”. Ai ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!